Gani Geci

Ekskluzive: Gani Geci do të Gjykohet nga EULEX-i

Procesi gjyqësor ndaj Gani Gecit do vazhdojë te gjykatësit dhe prokurorët ndërkombëtarë të EULEX-it. Dosja në të cilën Geci akuzohet për tejkalim të mbrojtjes së nevojshme në rastin e vrasjen së Ruzhdi Shaqirit tashmë është bartur te prokurorët e gjykatësit e EULEX-it.

Shyqeri Syla, kryeprokuror i Prokurorisë Themelore të Mitrovicës ka konfirmuar për KALLXO.com se lënda tashmë është marrë nga prokurorët e gjykatësit e EULEX-it të cilët do jenë kompetentë për të gjykuar këtë lëndë.

“Pasi që gjykatësit e EULEX-it e kishin marrë lëndën për ta gjykuar, EULEX me kërkesë ka kërkuar që prokuroria ta bartë këtë lëndë te një prokurorë i EULEX-it”, ka thënë Syla.

Kryetari i gjykatës së Mitrovicës ku është duke u gjykuar lënda ndaj Gecit, ka konfirmuar se lënda ka kaluar te një panel i drejtuar nga një gjykatës ndërkombëtar.

Procesi gjyqësor ndaj Gecit kishte nisur në gjykatën themelore të Mitrovicës nën drejtimin e gjykatëses Kada Bujnaku Përçuku. Procesi është ndërprerë për shkak se Përçuku ka dhënë dorëheqje nga pozita e gjykatëses ndërsa prokurorja e rastit Vahide Badivuku kishte përfunduar në burg pasi akuzohet për marrje të mitës.

Gani Geci akuzohet se në gusht 2014 qëlloi për vdekje Ruzhdi Shaqirin në qendër të Skënderajt. Në aktakuzën e saj, prokuroria e Mitrovicës mbron tezën se kjo vrasje ishte kryer në kushtet e tejkalimit të mbrojtjes së nevojshme.

Edhe Ndrec Dodaj, avokati i Gani Gecit, konfirmoi marrjen përsipër të rastit nga drejtësia ndërkombëtare ndërsa tha se i gjithë kolegji i gjykatësve është nga EULEX-i dhe se seanca e parë me përbërjen e re do të mbahet më 4 prill në objektin e Gjykatës Themelore të Mitrovicës në Mitrovicën e Veriut.