Objekti i Fakultetit Juridik | Foto: Facebook

Ekonomiku Ndalon Çokollatat në Ceremoni Diplomimi

Gëzimet familjare me rastin e diplomimit të studentëve të rinj do të zbehen në pamundësi të sjelljes së ushqimit brenda sallave ku bëhet mbrojtja e temës së diplomës.

Studentët e Universitetit të Prishtinës ‘Hasan Prishtina’, përkatësisht ata të Fakultetit Ekonomik nuk do të mund të ‘qarosin’ anëtarët e komisioneve të temave të diplomës pasi që një gjë e tillë është ndaluar me vendim nga ky fakultet.

Ky vendim është marrë menjëherë pas përfundimi të afatit të qershorit kur një pjesë  e madhe e studentëve diplomojnë.

Vendimi i 20 korrikut specifikon veprimet e ndaluara nga ana e studentëve që përfshin sjelljen e çokollatave dhe pijeve nëpër salla.

“Ndalohen sjellja dhe marrja e dhuratave me rastin e mbrojtjes publike të temave të diplomës… Ndalohen gjithashtu sjellja e gjësendeve tjera si çokollata, lëngje dhe gjëra të tjera ushqimore”, thuhet në vendimin e FE-së.

Dekani i këtij fakulteti, But Dedaj tha për KALLXO.com se arsyeja për marrjen e këtij vendimi është mbatja e seriozitetit të fakultetit

“Fakulteti Ekonomik është institucion arsimor, shkencor, nuk është vend ku munden të  konsumohen çokollatat, pijet haptas…Ka pasur raste të tilla”, tha Dedaj.

Ai gjithashtu konsideron se mbrojtja e temës së diplomës është një çështje e rëndësishme e cila duhet të trajtohet me respekt.

“Për ta ruajtur karakterin se për çfarë është tema e diplomës. Tema e diplomës është më tepër karakter ceremonial sepse pjesët tjera janë kryer paraprakisht.. në ceremoni mund të marrin pjesë të gjithë, ajo nuk do të thotë se është drekë zyrtare aty”, shtoi ai.

Vendimi i marrë dhe nënshkruar nga Dedaj hyri në fuqi me rastin e publikimit dhe sipas tij do të vlejë në vazhdimësi.