Ekipi i “Open Data Kosovo” Ndër 30 Finalistët e Listës Forbes

Ekipi i “Open Data Kosovo” është zgjedhur ndër 30 finalistët në listën e Forbes “30 under 30” në kategorinë “Ligj dhe Politikë”, ku janë përzgjedhur të rinjtë nën moshën 30 vjeçare që kanë kontribuar për të drejtat e njeriut dhe për qeverisje më të mirë.

20 kategoritë e ndryshme në të cilat do të garojnë 600 të rinjtë te lista “30 under 30” janë arti, edukimi, financat, teknologjia, energjia, ushqimi, lojërat, industria, marketing, media, muzikë etj.

Në faqen e Forbes thuhet se Open Data Kosovo (ODK) po sjell transparencën dhe përgjegjshmërinë e qeverisë përmes teknologjisë.

“Ekipi udhëheqës punon për të përmirësuar Kosovën përmes rritjes së angazhimit qytetar përmes teknologjisë, hapjes së të dhënave qeveritare dhe angazhimit në humanitarizmin digjital”, theksohet në profilin e vajzave të “Open Data Kosovo”.

“Open Data Kosovo” është krijuar nga tri të reja të moshës 26 vjeçare, Blinera Meta, Dafina Olluri dhe Blerta Thaçi.

Blinera ka kaluar kohët e fundit në një rol të ngjashëm me fokus ndërkombëtar në “Open Knowledge Finland”. Ajo vazhdon të japë këshilla në “Open Data Kosovo” ku Blerta dhe Dafina vazhdojnë të udhëheqin si drejtoreshë dhe zëvendës-drejtoreshë.

Përveç vajzave të “Open Data Kosovo” në listën e gjatë “30 under 30” është edhe këngëtarja me prejardhje nga Kosova, Rita Ora dhe shumë të tjerë nga Ballkani.

Lista e Forbes “30 under 30” në kategorinë “Ligj dhe Politikë” është votuar nga juria e cila ka qenë e përbërë nga Eva Maydell, anëtare e Parlamentit Evropian, Atifete Jahjaga, ish-presidente e Kosovës dhe Rama Yade, ish-sekretare e shtetit të Francës.

Pjesëmarrësit kanë qenë prej 34 shteteve evropiane, me sipërmarrësit nga vendet si Bjellorusia dhe Kosova për herë të parë.

Më poshtë mund të shihni listën me 30 finalistët e “30 under 30” të kategorisë “Ligj dhe Politikë” të Forbes ku është edhe ekipi i vajzave të “Open Data Kosovo”.

https://www.forbes.com/30-under-30-europe/2018/law-policy/#275a05306e98