Ekipi negociator i Kosovës - Foto: KALLXO.com

Ekipi negociator zhvillon dy takime me amerikanët në Presidencën e Kosovës

Ekipi negociator i Kosovës për bisedimet me Serbinë, ka mbajtur dy takime me përfaqësuesit e lartë të Këshillit Kombëtar të Sigurisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, John Erath dhe Brad Berkley.

Njëri takim është mbajtur me prezencën e presidentit Hashim Thaçi dhe njëri vetëm ndërmjet ekipit negociator dhe amerikanëve.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, zëdhënësja e Partisë Socialdemokrate, Natyra Kuçi.

“Ka pasur dy takime, një me presidentin dhe një veçmas. Do të thotë një takim i Delegacionit me emisiarët e Shtëpisë së Bardhë ku ka qene edhe Presidenti dhe një vetëm delegacioni dhe emisarët”, ka thënë Kuçi për KALLXO.com.

Kuçi ka shtuar se në takime është biseduar për dialogun Kosovë-Serbi.

Ndërkaq, bashkëkryesuesi i delegacionit shtetëror të Kosovës për bisedime me Serbinë, Fatmir Limaj ka bërë të ditur për takimet në Presidencë.

Limaj përmes një publikimi në Facebook ka treguar se përfaqësuesit amerikanë kanë kërkuar sërish pezullimin e taksës ndaj Serbisë.

“Përfaqësuesit e lartë të Këshillit Kombëtar të Sigurisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, John Erath dhe Brad Berkley, edhe njëherë paraqitën qëndrimin e njohur amerikan për pezullimin e taksës për t’i dhënë mundësi dialogut dhe përkushtimin e SHBA-ve për të parë sa më shpejt një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë e cila do ta mbyllte njëherë e përgjithmonë konfliktin mes dy vendeve”, shkroi Limaj në Facebook.

 

https://kallxo.com/zyrtaret-e-larte-te-shba-se-kerkojne-pezullimin-e-takses/

.