Ekipi i Filmit “Shok” Kthehet në Kosovë

Ndonëse nuk u arrit synimi për të sjellë në Kosovë për herë të parë çmimin “Oscar”, ekipi i filmit “Shok”, i cili sot u kthye nga SHBA-ja, tha se janë të kënaqur me faktin se përmes veprës së tyre bota na njeh më mirë.

Aktorët “hollivudianë“ janë pritur në aeroport nga miqtë dhe familjarët.

Në një konferencë për medie, anëtarët e ekipit të filmit që ishte pretendent për çmimin “Oscar” në edicionin e 88-të, treguan për përvojën e tyre atje, për ndjenjat kur morën vesh që filmi i tyre nuk është fituesi dhe për shpresat që ngjall suksesi i tyre për kinematografinë kosovare.

Lum Veseli, i cili luan Petritin në filmin e metrazhit të shkurtër, tha se kanë qarë shumë kur nuk e kanë dëgjuar të thirret emri i “Shok”-ut si fitues.

Qëndrimin në Hollywood Lumi e ka cilësuar përvojë të papëshkrueshme, kurse fotografimin me yjet e kinematografisë botërore si “momentin më të mirë”.

“Ecja në tepihun e kuq ka qenë një gjë e jashtëzakonshme. Takimi me yjet e Hollywood-it dhe botës ka qenë gjithashtu e jashtëzakonshme. Krejt kjo ka qenë e jashtëzakonshme”, tha ai.

Ndërsa, aktori Andi Bajgora tha se nuk mund ta përshkruajë se çfarë ka ndjerë gjatë kohës sa kanë qëndruar atje.

“Për mu ka qenë diçka shumë e mirë, edhe e madhe, se jemi njerëzit e parë që kemi ecur në tepihun e kuq prej Kosovës. Kemi përfaqësuar gjithë Kosovën dhe kjo ka qenë mirë jo vetëm për mua por edhe për gjithë stafin dhe çdo njeri që ka gjak shqiptari”, tha ai.

Filmi “Shok”, i cili ishte i nominuar si “Filmi më i mirë i shkurtër aksion”, nuk ka arritur ta marrë ”Oscar”-in, çmim të cilin në këtë kategori e rrëmbeu filmi irlandez “Stutterer”.

http://kallxo.com/filmi-irlandez-e-le-shok-un-pa-oscar/

Arben Zharku, drejtuesi i Qendrës Kinematografike tha se e ka pritur fitoren e “Shok”-ut, sidomos pas shkrimeve të mediave më me ndikim.

Sipas tij, ajo çka ka rëndësi tani është ndikimi që ka pasur filmi “Shok” dhe fakti se ai ka sjellë një “rrëfim të dhimbshëm të asaj që ne kemi përjetuar”.

Drama e Luftës Çon Kosovën në Hollivud

“Tash edhe artistët kosovarë, edhe kinematografia kosovare, i ka dyert e hapura në botë. Tani bota na njeh edhe përmes veprave të bukura artistike, kështu që kjo na bën edhe më shumë krenar dhe na e bën zemrën më të madhe”, tha ai.

Aktorja Aurita Agushi, e cila ka qenë me ekipin në Los Angeles, por jo edhe në sallën ku është mbajtur edicioni, tha se gjatë këtij udhëtimi ka pasur gëzim, lumturi, lot dhe ndjenja shumë të përziera.

“Jam shumë me fat që kam qenë pjesë e filmit ‘Shok’, sepse jo shpesh te vjen shansi ose kurrë nuk të vjen shansi me mbërri deri aty (ceremoninë e çmimit ‘Oscar’)”, tha ajo.

Aktori tjetër, i cili ishte pjesë e ekipit që udhëtoi drejt Hollywood-it, Besnik Krapi tha se fokusi ka qenë tek filmi dhe tek shteti jonë gjatë kohës sa kanë qëndruar atje.

“Na jemi kthye kryelartë. Kosova është nominuar për “Oscar” për gjithë jetën, kështu që rruga është çelë dhe shpresoj që shumë shpejt kemi me vazhdu me filma të tjerë, ndoshta prej vitit tjetër, për me e sjellë “Oscar”-in në Kosovë”, tha ai.

Filmi “Shok”, me skenar dhe regji nga Jamie Donoughue, është bashkëprodhim mes Kosovës dhe Anglisë dhe është filmi i parë kosovar që ka arritur të nominohet për çmimin “Oscar”.