Ejupi: Punësimi i Mavriqit në 'Contour Global' si i ambasadorit Dell në 'Bechtel'

Drejtori ekzekutiv i Organizatës Joqeveritare, INDEP, Burim Ejupi tha se punësimi i Liridon Mavriqit në kompaninë ‘Contour Global’ i cili për dy vjet ka qenë menaxher i projektit ‘Kosova e Re’, lë një pikë dyshimi pse kontrata për ndërtimin e TC ‘Kosova e Re’ është kaq e keqe dhe nuk është në favor të qytetarëve. Mavriqi gjatë viteve 2011-2013 ka qenë këshilltar i ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj.

“Kjo kontratë për neve është shumë e dëmshme. Njeriu i cili e ka menaxhu këtë kontratë, dmth pse ata e kanë marrë në punë është se ia ka ndreçë punën kompanisë”, ka theksuar Ejupi.

Po ashtu Burim Ejupi vendosi paralele mes punësimit të Liridon Mavriqit në ‘Contour Global’ dhe punësimit të ish-ambasadorit amerikan në Kosovë, Christopher Dell në ‘Bektel Enka’ pas nënshkrimit të kontratës për autostradën që e ka lidhur Kosovën me Shqipërinë.

“Rasti i njejtë me Dell që pas një kontrate të madhe u punësua në Bektel Enka”, është shprehur Ejupi.

Punësimi i Dell-it në Bechtel, Ngre Dyshime

Këtë deklaratë Ejupi e dha gjatë konferencës për shtyp të organizuar nga Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID) ku u prezantuan gjetjet nga analiza e marrëveshjeve të nënshkruara nga Qeveria e Kosovës me Contour Global për ndërtimin e termocentralit ‘Kosova e Re’, si dhe ndikimet që këto tetë marrëveshje do të i shkaktojnë vendit.

Gjatë ditës së sotme KALLXO.com ka shkruar për punësimin e Liridon Mavriqit, ish-menaxherit të projektit ‘Kosova e Re’ në kompaninë ‘Contour Global’.

http://kallxo.com/ish-menaxheri-i-kosoves-se-re-punesohet-ne-contour-global/