Forcat speciale të Egjiptit. Fotografi nga arkivi.

Egjipt: Dënohen 30 persona, planifikuan një sulm ndaj një kishe

Tridhjetë persona janë dënuar nga 10 vjet burgim deri në burgim të përjetshëm, për planifikimin e një sulmi vetëvrasës me bombë në një kishë në Alexandria të Egjipit dhe për vepra të ngjashme penale, njoftuan sot autoritetet egjiptiane.

Autoritetet thanë se në kohën kur janë arrestuar të pandehurit, kishin pranuar se kanë përqafuar idetë e gripit militant Shteti Islamik (IS) dhe se janë trajnuar në Egjipt dhe jashtë vendit.

Ndonëse sulmi i planifikuar ndaj një kishe në Alexandria nuk kishte ndodhur, minoriteti i krishterë në Egjipt është përballur me një sërë sulmesh në Alexandria dhe qytete të tjera gjatë viteve të fundit.

Grupi militant, Shteti Islamik kishte marrë përgjegjësinë për sulmet vetëvrasëse me bombë në kishat në Alexandria dhe Tantana në prill të vitit 2017, ku ishin vrarë 45 persona.

Të pandehurit po ashtu akuzohen se kanë planifikuar një sulm me bombë në një dyqan të pijeve alkoolike në qytetin Damietta.

Tetëmbëdhjetë nga të pandehurit u dënuan me burgim të përjetshëm – që në Egjipt konsiston me 25 vjet burgim –, tetë persona të tjerë u dënuan me 15 vjet burgim dhe katër të tjerë janë dënuar me 10 vjet heqje lirie, njoftoi Gjykata në Alexandria.