Egjipt, Anulohen 149 Dënime me Vdekje

Gjykata e kasacionit në Egjipt ka anuluar sot dënimin me vdekje të 149 personave të akuzuar për vrasjen e 13 policëve më 2013 në ditën kur forcat e rendit po vrisnin qindra protestues, të cilët kërkonin kthimin e presidentit islamist Mohamed Morsi, i shkarkuar nga ushtria.

Gjykata e lartë ka urdhëruar që këta persona të rigjykohen, kanë treguar zyrtarë të drejtësisë, raporton AFP.

Siç raporton Agence France Presse, që kur ushtria ka shkarkuar më 3 korrik 2013 presidentin e parë të zgjedhur në mënyrë demokratike në Egjipt, gjykatat kanë dënuar me vdekje në instancën e parë qindra islamistë, në mesin e tyre edhe vetë Mohamed Morsin, gjatë proceseve ndëshkuese në masë, të kritikuara nga OKB-ja, e cila i ka cilësuar “të paprecedentë në historinë e vonë“ të botës.