Tryeza për efiçiencën e energjisë - Foto: KOSID

Efiçienca e Energjisë, Temë Diskutimi e KOSID dhe Zyrës së BE-së

Tryeza është organizuar nga Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID), në bashkëpunim me Zyrën e Bashkimit Europian në Kosovë në kuadër të “Javës së Diplomacisë Klimatike 2017 në Kosovë”.

Rinora Gojani nga KOSID u shpreh se investimet në efiçiencën e energjisë duhet të shikohen si masa të domosdoshme për vendin, pasi që kanë potencialin për t’i ulur dukshëm shpenzimet e energjisë dhe mund të ndikojnë në krijimin e vendeve të punës.

“KOSID, si një ndër promotorët më të zëshëm të zhvillimit të qëndrueshëm në Kosovë, beson se skenari më i mirë për Kosovën do të ishte kalimi nga prodhimi i sasive më të mëdha të energjisë te ngritja e efiçiencës elektrike dhe nga përdorimi i lëndëve djegëse fosile te përdorimi i burimeve të ripërtërishme. Kjo do t’i mundësonte Kosovës të përmbushë kërkesat e saj për energji me çmim të përballueshëm”, tha Gojani sipas një komunikate të KOSID-it.

Ajo gjithashtu shtjelloi rëndësinë e krijimit të një Fondi për efiçiencë të energjisë që do të zbatonte një program nacional për efiçiencë, si dhe plotësim-ndryshimin e Ligjit për Efiçiencën e Energjisë, i cili do të rregullonte edhe sektorin privat, e jo vetëm atë publik, duke qenë se ky sektor konsumon afro 78 për qind të energjisë në vend.

Ndërsa, zëvendësudhëheqësi i ekipit për Projektin e efiçiencës së energjisë në Kosovë nga GIZ, Avni Sfishta, tha se Kosova stagnon në përdorimin e masave stimuluese për kursimin e energjisë elektrike në raport me vendet e rajonit, duke mos zbatuar në tërësi Ligjin dhe planin e veprimit mbi efiçiencën e energjisë në vend.

Sfishta tha se Kosova duhet çuar tutje politika që mbështesin aplikimin e projekteve të efiçiencës së energjisë pasi që ato kontribuojnë në promovimin e masave më të fuqishme dhe specifike për përdorimin më të gjelbër, më të mirë, dhe më të qëndrueshëm të energjisë.

Kurse, Luigi Brusa, kryesuesi i Sektorit për Bashkëpunim nga Zyra e BE-së në Kosovë, tha se efiçienca e energjisë është komponentë themelore e angazhimit të BE-së në synimin për t’i ofruar asistencë Kosovës që të arrijë siguri më të madhe të energjisë.

“Zyra e Bashkimit Evropian është e përfshirë në përmirësimin e performancës së energjisë në Kosovë, ku së bashku me Bankën Botërore ka bashkuar forcat në krijimin e një mekanizmi financiar që do të ofrojë hua në ngritjen e efiçiencës së energjisë për ndërtesat publike. Andaj, institucionet lokale vendimmarrëse, në bashkëpunim me, dhe asistim nga akterë relevantë ndërkombëtarë, duhet të marrin për bazë ndryshimet e politikave energjetike aktuale në drejtim të nxitjes së programeve për efiçiencë në Kosovë – kështu duke i ndërlidhur ato politika me kursimin e energjisë”, tha Brusa sipas komunikatës së KOSID-it.

Përfaqësuesi nga KOSID, njëherit dhe udhëheqësi i këtij debati, Dardan Abazi, tha se efiçienca e energjisë duhet konsideruar si një shtyllë e rëndësishme për dekarbonizimin e Kosovës si dhe duhet theksuar mundësitë që ofron për zhvillim të përgjithshëm ekonomik dhe social.

Në diskutimin e hapur, përfaqësues nga institucionet vendore dhe organizatave të shoqërisë civile u pajtuan se është e rëndësishme që publiku i gjerë të informohet mbi rëndësinë e masave të efiçiencës së energjisë në vend – duke qenë element kyç për zhvillimin ekonomik, social e mjedisor të Kosovës.

“Java e Diplomacisë Klimatike 2017 në Kosovë” organizohet nga Zyra e BE-së, e cila si qëllim kryesor ka vetëdijesimin e qytetarëve mbi temat rreth ndotjes së ajrit, menaxhimit të mbeturinave dhe efiçiencës së energjisë në vend.