Edita Tahiri - Foto: KALLXO.com

Edita Tahiri: Tragjedia e dhunimeve seksuale nuk mund të zbehet

Ish kryenegociatorja e Kosovës në dialogun me Serbinë, Edita Tahiri ka folur për dhunimet seksuale që kanë ndodhur në luftën e fundit në Kosovë.

Edita Tahiri përmes një statusi në Facebook ka kërkuar nga drejtësia ndërkombëtare që të flasë për gratë kosovare që kanë qenë viktima të dhunës seksuale.

“Drejtësia ndërkombëtare duhet të flasë për gratë tona viktima të luftës. Drejtësia duhet të vëhet në vend për të i’a kthyer dinjitetin grave tona, kriminelët duhet dhe do të dënohen”, ka shkruar Tahiri në Facebook.

Sipas saj, drejtësia vonohet, por ajo vjen.

“Kjo tragjedi është një dhembje e madhe kombëtare dhe një e vërtetë e hidhur të cilën nuk mund ta zbeh askush.Një Gjykatë Ndërkombëtare për krimet gjenocidale të dhunimit të grave shqiptare nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë 1998-1999, i jep drejtësi kësaj tragjedie”, ka shkruar në fund ajo.

Tahiri ka thënë se peticionin e vitit 2014 ku është kërkuar drejtësi për gratë e dhunuara shqiptare e ka dorëzuar në Organizatën e Kombëve të Bashkuara.

Deputetja e PDK-së, Flora Brovina të enjten ka publikuar një fotografi, ku ajo pretendonte se aty shiheshin disa ushtarë serbë duke dhunuar një grua shqiptare para familjarëve të saj.

Po atë ditë në media u publikuan informaicone se ajo fotografi ka disa vite që është e publikuar në faqet online dhe është marrë nga një film pornografik.

Ndonëse fillmisht, Brovina besonte se fotografia është autentike, të nesërmen ajo e pranoi se fotografia është manipuluar.

Në lidhje me këtë dëshmi të rreme, është duke u marrë edhe Prokuroria e shtetit.

https://kallxo.com/flora-brovina-i-nderron-fjalet-ne-prokurori-video/