Edita Tahiri - Foto: KALLXO.com

Edita Tahiri: Gratë vetëm me protagonizëm mund të ecin përpara

Edita Tahiri, e cila ka udhëhequr dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë për rreth shtatë vite ka thënë se gratë vetëm me protagonizëm mund të ecin përpara, kjo duke marrë role në kohë dhe procese të rëndësishme siç kanë bërë gratë kosovare.

“Dhe kur ne gratë jemi protagoniste vetëm atëherë mund të themi se kemi bërë ndryshime. Unë jam e vetmja grua në Ballkan, jo vetëm në Kosovë, dhe nuk jam sikur të tjerat gra të Brukselit që janë negociatore në kohë paqeje por unë kam qenë në kohë lufte, po ashtu kam qenë ministre e Jashtme për 10 vjet dhe vetëm atëherë kur jemi protagoniste mund të bëjmë ndryshime”, ka thënë Tahiri.

Tahiri i ka bërë thirrje të gjitha grave që të ecin drejt politikës. Ajo ka shtuar se gratë nuk mund të thonë që nuk ka ndryshime kur nuk marrin pjesë në politikë. Ish-kryenegociatorja Tahiri ka thënë që gratë duhet të bëhen pjesë e politikës, të hyjnë në pozita vendimmarrëse dhe duhet të ketë më shumë gra në qeveri.

“Ne sot kemi nevojë që të jemi përsëri protagoniste si gra kosovare, ne dëgjojmë nga disa politikanë shkurt pamës prekjen e kufirit, ne duhet këtu të ndërhyjmë si gra sepse ne e dimë se kufiri ndryshohet vetëm me luftë dhe nuk mund të ndryshohet asnjëherë, e kemi fituar me luftë dhe këtë e dinë të gjithë, ne gratë duhet të ngrisim zërin dhe të jemi protagoniste.

Tahiri këtë e ka thënë në edicionin e vitit 2019 të Ditës e Hapur Globale në Kosovë, e cila shënon afrimin e përvjetorit të 20 të Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Gratë, Paqen dhe Sigurinë me një ngjarje e cila fokusohet në proceset gjithëpërfshirës gjinore dhe të politikës së përgjegjshme.

Ky edicion është organizuar bashkërisht mes Zyrës së Bashkimit Evropian dhe Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

Tema e këtij viti është ‘Ndërtueset e besimit dhe negociatoret: Avancimi i agjendës së grave, paqes dhe sigurisë në Kosovë’

Ngjarja në stilin e mbajtjes së kuvendit përfshin një panel dhe dy debate televizive me ekspertë dhe politikan vendës, rajonal dhe ndërkombëtar të profilit të lartë, pasuar nga një sesion pyetjesh nga audienca.

E lansuar në dhjetor të vitit 2010 nga Departamenti për paqëruajtje, Departamenti për çështje politike, Programi i OKB-së për zhvillim dhe UN Women në përkujtim të dhjetëvjetorit të Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit për gratë, paqen dhe sigurinë, ngjarjet e Ditës së hapur globale janë të dizajnuara për të mbështetur dialogun e rregullt ndërmjet udhëheqjes së lartë të OKB-së dhe organizatave të grave anë e mbanë botës.

Sot, Dita e hapur globale organizohet në mbarë botën dhe është pjesë e Raportit vjetor të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për gratë, paqen dhe sigurinë.

Po ashtu, është hera e parë që një ngjarje e tillë do të transmetohet në televizion, me një debat televiziv me panelistë të shquar e nën moderimin e Jeta Xharrës, ndërsa më vonë do të transmetohet nga Rrjeti Ballkanik për gazetari hulumtuese (BIRN).