Edita Tahiri - Foto: KALLXO.com

Edita Tahiri: Ekipi negociator, një mekanizëm shoqërues i Thaçit

Edita Tahiri, e cila ka udhëhequr dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë për rreth shtatë vite, ka kritikuar qëndrimet e zyrtarëve të shtetit në raport me bisedimet e Brukselit.

Sipas saj, duhet të kenë koordinim në qëndrime presidenti Thaçi dhe kryeministri Haradinaj.

“Mund të them që Kosova nuk mund të shkojë në dialog me pozicionin që ka sot. Sot flasim me dy zëra. Në njërën anë presidenti për ndryshim kufijsh, në anën tjetër flitet për mbrojtje të kufijve. Në këtë situatë që jemi, po i japim mesazhe shumë të paqarta botës”, ka deklaruar Edita Tahiri në një intervistë për KALLXO.com.

Ajo tutje ka thënë se në procesin e dialogut, rolin që i takon duhet ta marrë Kuvendi i Kosovës.

Kur Parlamenti ta marrë rolin, Tahiri thotë se presidenti Thaçi nuk mund të jetë as palë në bisedime.

“Nëse Parlamenti do të bëjë vendimin në mbrojtje të kufijve, atëherë Thaçi nuk mund të jetë as palë në bisedime”, deklaroi ish-ministrja e Kosovës.

Formimin e delegacionit për bisedime në Bruksel, ku pjesë e tij u bë edhe PSD, ajo e quan gjysmak.

“Deri atëherë, ka një paqartësi, dhe kjo paqartësi krijoi një delegacion gjysmak sepse për këto çështje kaq të mëdha, duhet të kemi një delegacion që përfaqëson unitetin e popullit. Nëse nuk mundet 100 për qind, duhet të jetë një delegacion gjithëpërfshirës, ku janë edhe partitë e mëdha opozitare që përfaqësojnë shumicën e elektoratit. Pra ky nuk është një dialog që ka të bëjë me gjëra të vogla dhe mund të improvizohen delegacione të vogla, siç janë improvizuar”, ka thënë ajo.

Madje, sipas ish-kryenegociatores Tahiri, ekipi i bashkëkryesuar nga Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti është vetëm shoqërues për presidentin Thaçi.

“Këtu nuk dihet kush është kush, në njërën anë është Thaçi që shkon vazhdimisht në bisedime. Ky delegacion mund të jetë një mekanizëm shoqërues, apo nuk e kuptoj”, tha ajo.

Intervistën e plotë me Edita Tahirin mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm:

www.kallxo.com