Edita Tahiri Demanton Vuçiqin për Takimin e Brukselit

Ministrja në detyrë për Dialog, Edita Tahiri, përgënjeshtroi sonte një deklaratë të kryeministrit serb, Aleksandar Vuçiq.

Në një intervistë për një televizion të Beogradit, Vuçiq të martën në mbrëmje tha se e kishte larguar Edita Tahirin nga një takim në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë- Serbi në Bruksel pasi kishte refuzuar ta vazhdojë takimin në praninë e saj në tavolinë.

Reagimi i Vuçiq erdhi një ditë pasi Tahiri, në një deklaratë për KALLXO.com vuri në dyshim nismën e Vuçiqit për dialog të brendshëm për Kosovën në Serbi, duke kërkuar nga ai që të kërkojë falje në emër të Serbisë për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.

Por Tahiri, sonte tha për KALLXO.com se nuk është e vërtetë ajo që Vuçiq tha në intervistë për televizionin serb.

“Nuk është e vërtetë ajo që ka deklaruar Vuçiqi. Rrena dhe hipokrizia janë politikë e Serbisë”, tha Edita Tahiri.

“BE është mjedis demokratik e jo mjedis i censurimeve siç është situata në Serbi e krijuar nga politikat e Vuçiqit”, shtoi ajo duke iu referuar akuzave ndaj Vuçiqit në çështjen e lirisë së mediave dhe të fjalës së lirë.

“Vuçiqi nuk duhet të nervozohet por duhet t’i lërë hipokrizitë. Të jesh paqësor me fjalë dhe të armatosesh nga Rusia është hipokrizi. Serbia e ka plot gojën për neutralitet ushtarak të Serbisë, e në anën tjetër armatoset; edhe kjo është një tjetër hipokrizi”, tha ministrja Edita Tahiri e cila për gjashtë vjet ka drejtuar ekipin teknik negociator të Kosovës në bisedimet me Serbinë .