Protesta e studentëve në Tiranë

Edi Rama Merr ‘Diplomë’ si Përfaqësues i Universiteteve Private

Qindra aktivistë të lëvizjes Për Universitetin dhe studentë të universitetit të Tiranës marshuan sot nga korpusi universitar drejt kryeministrisë në një tubim paqësor kundër reformës në arsimin e lartë.

Ata mbanin në duar pankarta si “Kundër dhunës tarifore”, “arsim publik falas” dhe “kush nuk ka nuk paguan”. Aktivistët e kundërshtojë prej një viti e gjysmë Ligjin e ri për Arsimin e Lartë, që parashikon ndarjen e fondeve të arsimit të lartë midis universiteteve publike me ato private.

“Sot jemi mbledhur për të mbrojtur dhe zhvilluar publiken, universitetin, të drejtat themelore të qytetarëve për arsim cilësor dhe të përballueshëm ekonomikisht,” thanë aktivistët në deklaratën e tyre.

“Jemi kundër efekteve të privatizimit të jetës universitare publike , rritjes së tarifave, gjobitjeve të studentëve në provime, dhunës së burokratëve universitarë dhe dhunës së policisë,” shtuan ata.

Aktivistët inskenuan një pemë të Vitit të Ri përpara kryeministrisë ku kishin varur kartolinat e tyre për kryeministrin Rama. “Zoti Edi Rama, ju urojmë për arritjen e suksesit tuaj të këtij viti në shkatërrimin e ëndrrave tona,” shkruhej në njërën prej tyre.

Protestës iu bashkuan edhe studentënga fakulteti i Gjeologji-Minierave të cilët i bënë thirrje kryeministrit të zgjidhë sa më shpejt problemin e godinës për zhvillimin e mësimit pasi godina e vjetër i kaloi Gjykatës së Lartë. “Kryeministri nuk e mbajti premtimin e tij ndaj studentëve të Gjeologji-Minierave,” tha një student në protestë.

“Ne kërkojmë që fakulteti ynë të qëndrojë aty ku është dhe do të mbajmë këtë qëndrim derisa zëri ynë të depërtojë muret e qeverisë e të na kthehet një përgjigje”, shtoi ai.

Studentët bënë thirrje për rrëzimin e reformës që e kanë cilësuar si klienteliste dhe fillimin e një procesi të ri reformues ku rolin kryesorë do ta luajnë universitarët. Ata kërkuan gjithashtu ulje të tarifave dhe rritjen e investimeve publike për përmirësimin e kushteve të studimit dhe jetës studentore.

Aktivistët e lëvizjes Për Universitetin kishin përgatitur gjithashtu një pako me mbishkrimin ‘borxh studentor’ që sipas tyre është dhurata e qeverisë Rama për studentët në këtë fundvit.

Studentët i lëshuan gjithashtu kryeministrit një diplomë nga një universitet privat me motivin ‘për rezultate të larta në përfaqësimin e interesave klienteliste të universiteteve private’.

Ata e mbyllën protestën duke paralajmëruar më shumë tubime në vitin e ardhshëm.