Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë. Foto: Facebook.

Edi Rama: Fletarrestet Serbe, Dëshmi se e Shkuara Është Kërcënim

Rama qëndroi sot në selinë e AAK-së në Prishtinë ku u prit nga kryesia e kësaj partie e cila tash e gati një muaj është pa kryetarin e saj.

Haradinaj u arrestua në Francë në bazë të një urdhërarresti serb të vitit 2004 pasi emri i tij gjendet në listën e të dyshuarve nga prokuroria serbe për krime të luftës të kryera në Kosovë.

Tani ai është në pritje të një vendimi përfundimtar të gjykatës së qytetit Colmar të Francës, në një seancë që është caktuar të mbahet më 9 shkurt ku do të shqyrtohet kërkesa e organeve serbe për ekstradimin e tij në Serbi.

Rama, që erdhi sot në Kosovë, tha se uron dhe beson që Haradinaj do të kthehet në Kosovë.

“Për ne procesi i Ramushit me përfundimin e tij që unë me gjithë zemër uroj dhe besoj se do të jetë përfundimi që duam të gjithë, nuk është fundi por është fillimi i një pune të përbashkët të qeverisë sonë dhe të Kosovës të fshihen përfundimisht këto lista njerëzish me urdhërarreste të një kohe që i përket të shkuarës dhe që na është na shfaqet hera herës në këto forma që na kujtojnë se e shkuara është kërcënim për ne por edhe na obligojnë që me mjete të paqes e demokracisë ta bëjmë të shkuarën të pakthyeshme”, tha kryeministri shqiptar.

Ndërsa nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini, falënderoi qeverinë shqiptare për, siç tha ai angazhimin në rastin e Haradinajt.

“Falënderoj për gjithë angazhimin e palës shqiptare sidomos kryeministrit Edi Rama  pas ndaljes së Ramush Haradinajt. Kemi qenë të vetëdijshëm për rolin që e ka luajtur kryeministri Rama jo vetëm në këtë fazë, por në të gjitha fazat”, tha Gjini.

Gjatë ditës, kryeministri shqiptar Rama do të ketë takime edhe me homologun e tij kosovar, Isa Mustafa dhe me kryetarin e komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.