Ndërtesa e Rektoratit të UP-së | Foto: KALLXO.com

Edhe universitetet nga nesër në grevë, rektorët kërkojnë shkarkimin e ministrit Bytyqi

Rektorët e 6 universiteteve publike të Kosovës kanë njoftuar se që nga nesër të gjitha universitetet do të jenë në grevë të përgjithshme.

Pas konferencës së rektorëve të universiteteve publike, ata kanë njoftuar se kërkojnë edhe dorëheqjen e ministrit të Arsimit.

Drejtuesit e universiteteve kanë kërkuar “takim urgjent” me presidentin Hashim Thaçi, kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli dhe me kryeministrin, Ramush Haradinaj, për të gjetur zgjidhje, siç kanë thënë, për mbrojtjen e autonomisë së universiteteve publike dhe të sistemit të arsimit të lartë në Kosovë.

Rektorët kanë konstatuar se institucionet publike të arsimit të lartë i janë nënshtruar një presioni disavjeçar nga grupet e interesave politike dhe biznesore.

Sipas njoftimit nga mbledhja e gjashtë rektorëve thuhet se Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, si dhe Qeveria e Kosovës nuk ka udhëhequr politika parimore në mbrojtje të universiteteve publike.

“Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë nuk ka bashkëpunuar me universitetet publike, përkundrazi e ka penguar zhvillimin e tyre, duke mos proceduar në Kuvendin e Kosovës, statutet e tyre për miratim. Është sulmuar autonomia institucionale, akademike dhe financiare e universiteteve publike. Emërimi i anëtarëve të Këshillave Drejtues të universiteteve është bërë mbi baza politike”, thuhet në njoftim.

Përjashtimi i Agjencisë Kosovare për Akreditim (AKA) nga The European Quality Assurance Register for Higher Education (EQAR) është pasojë e kësaj fushate, thuhet në letrën publike e cila u është dërguar udhëheqësve shtetërorë.

Tutje rektorët deklaruan se emërimi i  anëtarëve të rinj të Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KShC), është bërë nën trysni politike dhe trysni anti-universitet.

“Vendimet e fundit të AKA për mbylljen e shumë programeve studimore të universiteteve publike, posaçërisht të universiteteve të reja publike (40% të programeve që përfshijnë përafërsisht 70% të studentëve), në mënyrë antiligjore është pjesë e kësaj fushate. KShC ka treguar se është në funksion të grupeve të interesit politik e biznesor, prandaj nuk është e aftë ta ndihmojë arsimin e lartë dhe as ta anëtarësojë AKA në mekanizmat ndërkombëtarë”, thuhet në letrën e përbashkët të rektorëve.

Konferenca e Rektorëve kërkon nga organet kompetente që urgjentisht të shkarkojë ministrin e Arsimit, Shkencës e Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, të shkarkojë anëtarët e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, si dhe të shfuqizojë vendimet për tërheqje dhe refuzim të akreditimit për të gjitha programet që kanë qenë të akredituara.

Rektorët gjithashtu kanë njoftuar se do të ndërpresin të gjitha komunikimet me ministrin e Arsimit Shyqiri Bytyqi.