
Foto: KALLXO.com
Edhe Shpend Ahmeti kërkon zgjedhje
Pas dorëheqjes së Haradinajt nga pozita e kryeministrit, kryetari i PSD-së, i cili njëherësh është edhe kryetar i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se nuk do të ketë qeveri teknike.
Përmes llogarisë së tij në rrjetin social Twitter, ai ka deklaruar se zgjedhjet janë të domosdoshme.
“Nuk ka arsye për qeveri teknike. Ne aspektin demokratik të legjitimitetit, zgjedhjet janë të domosdoshme. Edhe për legjitimitet edhe për ndryshim”, ka shkruar Ahmeti.
Haradinaj dha dorëheqje në mbledhjen e Qeverisë duke thënë se në Gjykatën Speciale nuk mund të shkojë si kryetar i Qeverisë së Kosovës.
Historiku i Gjykatës Speciale
Me 82 vota për, 5 kundër dhe 1 abstenim, deputetët e asaj legjislature i kishin votuar ndryshimet e nevojshme kushtetuese të cilat i kishin hapur rrugë themelimit të kësaj gjykate të kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare.
Në atë kohë, kryeministër kishte qenë Isa Mustafa, ndërsa zëvendëskryeministër Hashim Thaçi.
Ky i fundit kishte qenë shumë i zëshëm në mbështetjen e krijimit të kësaj Gjykate.
Gjykata Speciale për Kosovën në përbërjen e saj do të ketë vetëm prokurorë e gjykatës ndërkombëtarë.
Ajo ka filluar punën muajve të fundit, kur ka ftuar disa ish figura të larta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Lëvizja Vetëvendosje kishte qenë partia e vetme, e cila unanimisht kishte votuar kundër krijimit të kësaj Gjykate, ndërsa nga partitë e tjera ka pasur disa figura të pakta që kanë votuar kundër.