Edhe Podujeva arrin marrëveshje me HIB për derivate më të lira për fermerët

Komuna e Podujevës ka nënshkruar marrëveshje me “HIB Petrol” për furnizimin e fermerëve me derivate me çmim më të lire.

Njëjtë kishte bërë edhe Komuna e Mitrovicës dje.

Komuna e Podujevës dhe “HIB Petrol” Sh.P.K., kanë nënshkruar sot një marrëveshje bashkëpunimi, sipas së cilës ofrohen lehtësira për fermerët llapjanë, gjegjësisht furnizim me çmim më të lirë me derivatet e naftës.

Zyrtarët e lartë të Komunës së Podujevës, nënkryetari Nexhmi Rudari dhe drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Vezir Januzi, kanë zhvilluar sot një takim me Salih Hotin – përfaqësues i “HIB Petrol” Sh.P.K., ku është biseduar për bashkëpunimin e ndërsjellë në fushën e bujqësisë, sipas kushteve të tregut dhe normave të besimit reciprok, për mbështetje fermerëve llapjanë.

Sipas njoftimit , në takimin e sotëm u nënshkrua Marrëveshja e bashkëpunimit në mes Komunës së Podujevës, e përfaqësuar nga Vezir Januzi – drejtor i Drejtorisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (DBPZHR) dhe përfaqësuesit të “HIB Petrol” Sh.P.K., – Salih Hoti, sipas se cilës kjo kompani do t’i furnizojë fermerët  llapjanë në mënyrë të vazhdueshme me derivate me një zbritje në çmim prej 5 centësh, për një litër  krahasuar me çmimin ditor në pikën e karburantit ku ata furnizohen.

Marrëveshja e arritur është njëvjeçare dhe është e dedikuar vetëm për mjete bujqësore që shërbejnë për punimin e tokave bujqësore.

Në kuadër të marrëveshjes Drejtoria e Bujqësisë është obliguar t’ia ofrojë “HIB Petrol” listat e përditësuara të fermerëve.

Të gjithë fermerët që dëshirojnë të përfitojnë nga zbritja në çmimin ditor të tregut të derivateve duhet të prezantojnë në “HIB Petrol” numrin identifikues të fermerit, që janë të regjistruar në DBPZHR si fermerë.