Edhe Obiliqi kundër konkursit të MAShT për pedagogë dhe psikologë

Pas Komunës së Prishtinës, edhe ajo e Obiliqit ka reaguar ndaj konkursit të Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, të hapur me datë 25 qershor për angazhimin e psikologëve dhe pedagogëve në disa rajone të Kosovës.

Në reagim Komuna e Obiliqit konkursin e ka quajtuar të kundërligjshëm.

“Konkursi i shpallur është në kundërshtim me çdo dispozitë ligjore në fuqi, duke pasur parasysh që MASHT-i nuk është punëdhënës i stafit të mësimdhënësve të angazhuar në sistemin e arsimit në shkolla. Konkursi i lartcekur i publikuar nga MASHT-i, është në kundërshtim me ligjin e punës nr.03/212 Nenit 8, që në rastin konkret MASHT-i ka bërë shkelje ligjore, duke marrë kompetencat e nivelit komunal që nuk i takojnë”, thuhet tutje.

Po ashtu komuna e konsideron këtë konkurs të papranueshëm dhe i ka bërë  thirrje MAShT të kursehet nga ndërhyrja në kompetencat e komunës.

“Ky veprim i MASHT-it, do të thotë suprimim i ligjit nr.03/L-040 , për vetëqeverisjen lokale dt.06.2008,neni 4. Veprimi i MASHT-it, në rastin e shpalljes së konkursit për rekrutimin e stafit të mësimdhënësve dhe stafit tjetër profesional për punë në shkolla, për komunën e Obiliqit është i papranueshëm, përkatësisht kërkojmë nga MASHT-i , që të kursehet nga ndërhyrja në kompetencat e komunës për sa i takon sistemit të arsimit në nivelin parauniversitar, me këtë rast anulimin e konkursit dhe ndërprerjen e menjëhershme të procedurave të rekrutimit për konkursin e shpallur për “Psikologë dhe pedagogë “ të datës 25 qershor 2019”, thuhet në reagim.

MAShT e kishte shpallur konkursin më 25 qershor për angazhimin e 30 psikologëve dhe 20 pedagogëve për komunën e Prishtinës, Mitrovicës, Prizrenit, Ferizajt, Pejës, Gjilanit e Gjakovës dhe është mbyllur me 16 korrik.

Kundër këtij konkursi është shprehur edhe Komuna e Prishtinës, e cila ka kërkuar anulimin e këtij konkursi dhe ndërprerjen e menjëhershme të procedurave të rekrutimit për konkursin e shpallur, pasi sipas tyre është në kundërshtim me disa ligje.

Drejtori për Arsim Parauniversitar në MAShT, Alush Istogu ka treguar për Gazetën Jeta në Kosovë se MAShT duke u bazuar në Ligjin e buxhetit për vitin 2019 ka planifikuar 50 vende te punës për shërbim profesional pedagogë-psikologjik.

“MASHT  ka shpallur konkursin  në bazë te UA nr.26/2013 “ Zgjedhja e nëpunësve për ofrimin e shërbimeve profesionale ne institucionet edukative- arsimore para universitare “ dhe të UA nr,. 34/2014 “ Funksionalizimi i shërbimit ped-psikologjik në  shkolla”, tha ai.

Tutje Istogu tha se pas shqyrtimi të konkursit dhe të pranimit , së bashku me drejtorët e DKA do të caktohen për shkolla në bazë të kritereve dhe numrit të nxënësve.

“MAShT  e ka siguruar buxhetin për vitin 2019 për pagesën e këtij shërbimi profesione ped-psikologjik”, thotë Istogu duke shtuar se në shkollat e Kosovës ka nevojë edhe për 135 psikologë dhe pedagogë.

DKA-të kundërshtojnë konkursin e MAShT për psikologë dhe pedagogë

.