Edhe në 2015-ën Serbia Eksportuesi më i Madh Drejt Kosovës

Këto të dhëna dolën nga Raporti Vjetor i Doganës së Kosovës për vitin 2015.

“Të dhënat e importit tregojnë se në aspektin e peshës për periudhën raportuese 2014 – 2015 pesha neto e importit të mallrave ka shënuar rritje prej 289 milionë kilogramë, apo shprehur në përqindje 7.6 %, derisa vitin e kaluar kishim në total peshë importi prej 3,7 miliardë kilogramë,” thuhet në raport.

Sipas raportit vlera e importeve është rritur.

“Këtë vit kemi afër 4 miliardë kilogramë produkte të importuara, kurse vlera e mallrave të importuara ka rritje prej 3.8 për qind, pra nga 2.4 miliardë euro në 2.5 miliardë,” vijon raporti.

Raporti thotë se Kosova ka importuar produkte të njëjta, kurse me përqindjeje më të lartë janë derivatet, duhani, automjetet, makineritë e ndryshme, pijet alkoolike dhe jo-alkoolike, plastika etj.

Sipas Doganës, mallrat më së shumti janë importuar nga Serbia, Gjermania, Kina e Italia etj.

Për dallim nga importet, eksportet sipas Doganës kanë shënuar një rritje të lehtë në krahasim me vitin paraprak, me destinacion Shqipërinë, Serbinë, Italinë e Indinë në vlerë prej 390 milionë eurove.

“Tek eksportet, gjatë këtij viti ka pasur eksport (EX1+EX3) në lartësi prej 390 milionë eurove që krahasuar me vitin e kaluar është një rritje e ulët për 6 milionë euro, pasi në 2014 kishte eksport me 384 milionë euro. Ndërsa, partnerët kryesorë për eksportin e Kosovës janë Shqipëria, Serbia, Maqedonia, India dhe Italia,” tregon raporti.

Më pak buxhet e më shumë të hyra

Dogana e Kosovës mbetet njëri ndër kontribuuesit më të mëdhenj në mbushjen e arkës së shtetit.

Ky institucion buxhetin për vitin 2015 e kishte 8.6 milionë euro, ku prej tyre 5.2 milionë ishin për paga dhe mëditje, 2.6 në mallra dhe shërbime, 0.2 milionë në shërbime komunale dhe 0.6 milionë euro në shpenzime kapitale.

Për dallim nga viti 2014 buxheti i Doganës ishte në rënie për -5.8 për qind.

Përveç kësaj, përkundër se buxheti i Doganës ishte më I ulët në krahasim me vitin paraprak, shpenzimet e këtij buxheti ishin edhe më të ulëta. Dogana kishte shpenzuar vetëm 7.6 milionë euro duke lënë mbi 1 milionë euro si mbetje buxhetore.

Por të hyrat që Dogana i ka mbledhur tejkalojnë shumën e 950 milionë eurove, si rritje më e lartë e regjistruar ndër vite.

“Dogana në 15 vjet ekzistencë asnjëherë nuk kishte arritur të tejkalonte shifrën prej 900 milionë, derisa gjatë këtij viti kemi vendosur standarde të reja dhe kemi mbledhur mbi 950 milionë euro. Tatimet kanë shënuar ngritje në shumë prej 82 milionë apo për 9.6 % më shumë se arkëtimi në periudhën e njëjtë të vitit paraprak 2014,” njofton raporti.