Wsley Clarc | Foto: Wikimedia Commons

Edhe gjenerali Wesley Clark vjen sot në Kosovë

Ish-komandanti i NATO-s gjatë bombardimeve kundër caqeve serbe më 1999, gjenerali i pensionuar, Wesley Clark, do të qëndrojë të mërkurën në Kosovë, në 20 vjetorin e çlirimit të Kosovës.

Gjenerali Clark ka njoftuar në llogarinë e tij në Twitter se do t’i bashkohet ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara, Bill Clinton, dhe ish-sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, në festimet që do të organizohen më 12 qershor në Prishtinë.

Ish-presidenti Clinton dhe ish-sekretarja e Shtetit, Albright, kanë arritur të martën në Kosovë.

Clinton dhe Albright janë pritur nga krerët e institucioneve të Kosovës.

Gjenerali Wesley Clark ka qenë komandant i forcave të NATO-s në kohën e bombardimeve të forcave aleate kundër ushtrisë dhe policisë serbe, të cilat po kryenin krime kundër njerëzimit dhe kishin ndërmarrë fushatë të pastrimit etnik kundër shqiptarëve të Kosovës.

12 qershori konsiderohet dita e çlirimit të Kosovës pasi më 12 qershor 1999, forcat e NATO-s hynë në Kosovë pas nënshkrimit të marrëveshjes tre ditë më herët me forcat serbe, të cilat u pajtuan të largoheshin nga Kosova.

Marrëveshja teknike-ushtarake ishte nënshkruar më 9 qershor 1999 në Kumanovë pas 78 ditë bombardimesh ajrore nga forcat e NATO-s kundër ushtrisë dhe policisë serbe.