
Aktivistët e VV-së në gjykatë për sulmin në Kuvend | Foto: KALLXO.com
Edhe Dy Muaj Arrest Shtëpiak Aktivistëve të VV-së
Gjykata Themelore në Prishtinë ua vazhdoi arrestin shtëpiak edhe për dy muaj aktivistëve të “Vetëvendosjes” Adea Batusha, Atdhe Arifi, Egzon Haliti dhe Frashër Krasniqi.
Lajmin për vazhdimin e arrestit shtëpiak ndaj të akuzuarve për sulmin e gushtit 2016 në ndërtesën e Kuvendit e konfirmoi për KALLXO.com Emrush Kastrati, avokati i Egzon Halitit.
Në lidhje me vazhdimin e arrestit shtëpiak ndaj katër aktivistëve reagoi edhe Lëvizja “Vetëvendosje”.
“Pas gjysmë viti të vuajtjes së arrestit shtëpiak, gjykata ka vendosur që ta vazhdojë edhe për dy muaj masën e arrestit shtëpiak për katër aktivistët tanë që po përndiqen politikisht. Që prej gjysmë viti të katër aktivistët po mbahen në arrest pa asnjë provë e asnjë fakt,” thuhet në reagimin e “Vetëvendosjes”.
Gjashtë aktivistë të “Vetëvendosjes” u arrestuan më 30 gusht 2016 si të dyshuar për sulmin me granatahedhës në ndërtesën e Kuvendit.
http://kallxo.com/publikohen-emrat-e-te-arrestuarve-per-bomben-ne-kuvend/
Njëri nga ta, Astrit Dehari vdiq më 5 nëntor të vitit të kaluar në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.
Aktakuza për terrorizëm ndaj katër aktivistëve në të cilën nuk u përfshi Astrit Dehari i ndjerë dhe Petrit Ademi për mungesë provash, u ngrit më 29 dhjetor 2016 nga Prokuroria Speciale.
http://kallxo.com/aktakuze-per-terrorizem-ndaj-aktivisteve-te-vetevendosjes/