Greg Delawie - Foto: KALLXO.com

Edhe Delawie mendon se kthimi i Zharkut në Kosovë si i lirë është i turpshëm

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Greg Delawie, tha se pajtohet me mendimin e homologut të tij nga Britania e Madhe lidhur me kthimin e Xhabir Zharkut në Kosovë.

Ambasadori britanik në Kosovë, Ruairi O’Connell dje  ka thënë se kthimi i Xhabir Zharkut në Kosovë si një njeri i lirë është i turpshëm.

“Xhabir Zharku u dënua me tre vjet burg për krimet e tij. Kthimi i tij në Kosovë si një njeri i lirë është i turpshëm”, ka thënë O’Connell.

Por sipas ambasadorit O’Connell turpi i vërtetë është se në gjashtë vjet që kur Zharku u lejua t’i shpëtojë drejtësisë, asgjë nuk është bërë për të ndaluar politikanët e tjerë kriminelë të bëjnë të njëjtën gjë.

“Nuk shoh asnjë arsye për një dispozitë ligjore që i lejon kriminelët të largohen nga vendi dhe të jetojnë jashtë vendit në vend që ta mbajnë dënimin e tyre në burg”, ka shkruar O’Connell në Facebook.

Ndërsa sot në Twitter, Delawie tha se pajtohet me O’Connell

“S’mund të pajtohesha më shumë me Ambasadorin O’Connell në sundimin e ligjit”, shkroi Delawie.

Ish- kryetari i Kaçanikut, Xhabir Zharku, ishte gjetur fajtor për veprat penale të detyrimit dhe armëmbajtjes pa leje dhe ishte dënuar me 3 vjet burg, por ai nuk e ka mbajtur dënimin meqë ishte arratisur në Suedi.

https://kallxo.com/oconnell-kthimi-i-zharkut-si-njeri-i-lire-eshte-i-turpshem/