Ilustrim

E shprehin gëzimin me të shtëna, përfundojnë në pranga

Policia gjatë 24 orëve të fundit ka arrestuar katër persona për përdorim të armëve në ahengje familjare.

Në katër raste të ndryshme policia ka konfiskuar një kallashnikovë dhe tri pistoleta.

Në fshatin  Topliqan, në Komunën e Lipjanit, njësia policore ka shoqëruar në stacionin policor një të dyshuar pasi që i njëjti në një aheng familjar ka shtënë në ajër me pistoletë me gaz.

Pistoleta me pesë fishekë dhe katër gëzhoja janë konfiskuar, ndërsa i dyshuari pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.

Një rast tjetër është shënuar në fshatin Rufc i Vjetër, në Lipjan ku policia ka shoqëruar në stacionin policor të dyshuarin pasi që i njëjti dyshohet se në një aheng familjar ka shtënë në ajër me pistoletë me gaz.

Pistoleta e tipit Ekol Special 99, me tre fishekë dhe tre gëzhoja janë konfiskuar, ndërsa i dyshuari pas intervistimit, me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.

Në Viti një person është arrestuar pasi ka shtënë në ajër me kallashnikovë. Policia ka konfiskuar kallashnikovin pa municion, ndërsa i dyshuari pas intervistimit është liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt.

Edhe në Vushtrri, është arrestuar një i dyshuar, pasi i njëjti në një aheng familjar kishte shtënë me armë zjarri në ajër. Nga i dyshuari është konfiskuar një pistoletë me gaz, ndërsa në vendin e ngjarjes janë gjetë dhe konfiskuar tri gëzhoja. Pas intervistimit i dyshuari me urdhër të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.

Policia vazhdimisht ka apeluar për mos përdorim të armëve në ahengje familjare.