E pranoi se ka vjedhur, Gjykata e dënoi me 4 muaj burg dhe 200 euro gjobë

Në Gjykatën e Gjakovës u mbajt shqyrtimi fillestar, kundër të akuzuarit për vjedhje Ardian Jupa nga fshati Gajrep, komuna e Hasit, Republika e Shqipërisë.

I akuzuari Ardian Jupa deklaroj se e pranon fajësinë lidhur me veprën për të cilën akuzohet.  I akuzuari u shpall fajtor nga Gjykata për veprën penale të vjedhjes me dënim me gjobë në shumë prej 200 euro dhe dënim me burg prej 4 muaj si dhe shpenzimet procedurale në shumë prej 30 euro.

Prokuroria Themelore në Gjakovë, e ngarkonte të akuzuarin me veprën penale të vjedhjes.

Edhe pse gjyqtari Mentor Bajraktari paraprakisht e njoftoj të akuzuarin lidhur me të drejtat e tij, i akuzuari Jupa kërkoj nga gjykata që të mbrohet përmes avokatit.

“Përderisa jam në vuajtje të dënimit në burgun e Gërdovcit, për një vepër tjetër penale dhe nuk kam mundësi të mia ekonomike që ta paguaj avokatin”, tha i akuzuari Ardian.

Pasi që gjyqtari kontaktoj me Odën e Avokatëve, u caktua avokatja Blerina Kurtaj sipas detyrës zyrtare.

Pas një konsultimi mes të akuzuarit dhe mbrojtëses së tij, gjyqtari pyet të akuzuarin se a e pranoni fajin për veprën që akuzohesh?

“Unë e pranoj fajësinë sepse jam penduar për këtë veprim dhe premtoj që nuk do të përsëritet”, deklaroj i akuzuari Ardian Jupa.

Lidhur me këtë pranim prokurori Ismet Tofaj, nuk e kundërshtoj sepse konsideroj se ka mbështetje në prova materiale.

I dëmtuari Agim Salihu kërkoj nga gjykata kompensimin e dëmit.

Mbrojtësja e të akuzuarit avokatja Blerina Kurtaj, në fjalën e saj tha se i mbrojturi i saj e ka pranuar fajësinë me vullnetin e tij të lirë dhe i kërkoj gjykatës që ta marr si rrethanë lehtësuese.

I akuzuari gjendet në vuajtje të dënimit 4 vite e disa muaj deri në nëntor të këtij viti, për tjetër vepër penale në burgun e Gërdovcit.

Sipas aktakuzës, me datë 20 janar të vitit 2014, në Gjakovë me qëllim që vetit t`i sjellë përfitim pasuror të kundërligjshëm, shkon te shtëpia e të dëmtuarit Agim Salihu rr “Minatori”, nga kamioni i markës “Man” heq dhe e vjedh baterinë e llojit “Starker 130A”, si dhe nga dy kamionët tjerë të parkuar nxjerrë dhe vjedhë 100 litra naftë, pastaj largohet. Sipas pretendimeve të Prokurorisë Themelore në Gjakovë, dyshohet se Ardian Jupa nga fshati Gajrep Has, R. e Shqipërisë, ka kryer veprën penale të vjedhjes nga neni 325, i KPRK-së.

https://kallxo.com/shtyhet-gjykimi-i-shtetasit-te-shqiperise-i-akuzuar-per-vjedhje-ne-gjakove/