Mbindërtimi në Drenas - Foto: KALLXO.com

E Kontraktuar nga Komuna, Kompania Nuk Vjen ta Rrënojë Mbindërtimin

Komuna e Drenasit kishte paraparë për sot ta rrënonte mbindërtimin e një objekti, i cili ka tejkaluar lejen e ndërtimit.

Mirëpo, rrënimi nuk ndodhi pasi që kompania e kontraktuar nuk iu përgjigj ftesës së Komunës.

Në qendër të Drenasit, kompania “Al Trade” që është duke e  ndërtuar një objekt shumëkatesh ka leje ndërtimi për P+8, ndërsa ka filluar t’i vendosë shtyllat edhe për një kat më shumë.

Drejtoresha e Inspektimit Komunal, Aurora Berisha, thotë së Drejtoria e saj sot nuk mundi t’i kryejë këto rrënime pasi që kompania e kontraktuar nga Komuna nuk erdhi.

“Ne kemi lajmëruar kontraktorin që e kemi të kontraktuar për rrënime, që është “ASS” sh.p.k., e kemi njoftuar në bazë të kontratës së paraparë me ligj 20 orë përpara mirëpo kompania nuk na është përgjigjur me dalë në kohë”, tha drejtoresha.

KALLXO.com ka kontaktuar me Arsim Hamitin, përfaqësuesin e kompanisë “ASS” sh.p.k., i cili tha se nuk është në dijeni për ngjarjen dhe premtoi se do na japë përgjigje pasi të kontaktojë inxhinierin e kompanisë.

Ndonëse premtoi, Hamiti nuk u përgjigj më.

Ndërsa, drejtoresha Berisha tregon se i ka dhënë vërejtje me shkrim kësaj kompanie pasi që e njëjta nuk është hera e parë që nuk i përgjigjet ftesës së Komunës.

“Ne kemi vendosë me marrë masa ndaj kompanisë, me i dhënë vërejtje me shkrim në bazë të kontratës që e kemi parapa me kushtet e veçanta dhe anekset e saj në kemi të drejtë në rast se nuk përgjigjet me marrë masa me vërejtje, mirëpo nëse vazhdon me i përsërit atëherë po besoj që ne duhemi me shkëputë kontratën për mospërgjegjësi”, tha ajo.

Berisha thekson se është informuar nga inspektorët komunalë se kompania që po e kryen ndërtimin “Al Trade” sot ka filluar vetë t’i rrënojë punimet që janë jashtë planit të ndërtimit.

Në katin e sipërm janë vendosur shtyllat për mu vendos edhe një kat ekstra. Këto shtylla nuk kanë qenë të pajisura me leje. Ne kemi marrë masa në parandalimin e ndërtimit të këtij kati dhe kjo ka qenë pjesa ku është dashur të rrënohet. Megjithatë unë mora informatën sot se vetë pala “Al Trade” ka filluar mi rrënu ato shtylla”, theksoi drejtoresha Aurora Berisha.

Kurse, Osman Deliu, menaxheri i shitjes në “Al Trade”, thotë së kanë leje të ndërtimit për 8 kate dhe se nuk kanë dashur të bëjnë kat te ri por disa “shtesa të vogla”.

Ai tha se nesër do t’i rrënojnë shtyllat e vendosura dhe theksoi se kanë bërë kërkesë për leje shtesë për “penthouse” në kulmin e ndërtesës.

Probleme të ngjashme kur kompanitë e kontraktuara nga komunat e Kosovës nuk i përgjigjen kërkesave për rrënim ka edhe në komuna të tjera.

http://kallxo.com/komuna-e-vushtrrise-nuk-rrenon-mbindertimin-e-parapare/

KALLXO.com në  tetorin e vitit 2015 raportoi për rastin në Vushtrri, ku kompania nuk i është përgjigjur ftesës së Komunës për rrënim të mbindërtimeve pa leje.