Foto: Ilustrim

E Drejta Zakonore po i Lë Gratë pa Prona

Ndonëse kohëve të fundit është shënuar përparim në avancimin e femrës së Kosovës në realizimin e të drejtave që i takojnë nuk janë të rralla rastet kur ato janë objekt i diskriminimit.

Problemi më i madh me të cilin po përballen aktualisht femrat kosovare vlerësohet të jetë mosndarja e pronës në mënyrë të barabartë mes tyre dhe meshkujve.

Një diskriminim i tillë është evident më tepër në aspektin e trashëgimisë. Në të shumtën e rasteve ajo privohet nga e drejta e saj për të trashëguar.

Derisa në të drejtën zakonore shqiptare gruaja ka qenë e diskriminuar në aspektin e të drejtës së trashëgimisë, Ligji aktual në fuqi (e drejta pozitive) për Trashëgiminë e njeh barazinë gjinore në këtë drejtim.

Mirëpo, sa zbatohet ky Ligj është krejt diçka tjetër.

Noteri Shaqir Vula nga Gjakova thotë për KALLXO.com se Ligji mbi Noterinë e ka mundësuar që trashëgiminë mund ta bëjnë edhe noterët.

Megjithatë, nga përvoja e tij ai tregon se në 90 % të rasteve femrat vullnetarisht heqin dorë nga trashëgimia.

Ndërsa, avokati Prenk Pepaj bëri të ditur se femrat në përgjithësi janë të vetëdijshme për të drejtën e tyre në trashëgimi, pavarësisht faktit që nuk kanë njohuri profesionale. Ai më tej theksoi se është angazhuar shpeshherë “Pro Bono” në përfaqësime të ndryshme.

Drejtoresha ekzekutive e organizatës “Femrat Aktive të Gjakovës”, Valbona Doli-Rizvanolli, thotë për KALLXO.com se ndikimi i ligjeve të pashkruara (të së drejtës zakonore) në realizimin e të drejtës së grave në trashëgiminë pronësore vazhdon të ketë ndikim të madh edhe përkundër faktit që ky ligj i zakonit i vë ato në pozitë të pafavorshme.

Ajo thekson se edhe Ligji në fuqi nuk zbatohet në përpikëri.

“Neni 127 i Ligjit për Procedurën Jokontestimore thotë se “Procedura për shqyrtimin e pasurisë trashëgimore vihet në veprim nga gjykata sipas detyrës zyrtare posa gjykata të informohet se një person ka vdekur ose është shpallur i vdekur me vendim gjyqësor”, ndërkaq kjo procedurë nuk

është duke u zbatuar ex officio siç e thot ligji”, theksoi Valbona Doli-Rizvanolli.

Më tej Doli-Rizvanolli shtoi se as zyra e ofiqarisë e Komunës nuk e njofton gjykatën me aktvdekje siç e obligon ligji kur ajo është në dijeni në mënyrë që të hapet procedura e trashëgimisë.

“Neni 133.1 i Ligjit për Procedurën Jokontestimore thotë se kur një person vdes ose shpallet i vdekur me vendim gjyqësor, organi komunal i shërbimit kompetent për mbajtjen e librit amzë të vdekjeve ka për detyrë që brenda afatit prej 15 ditësh nga dita në të cilën e ka regjistruar vdekjen t’ia dërgojë aktvdekjen gjykatës trashëgimore dhe moszbatimi i këtij obligimi ligjor krijon hapësirë që palët në procedurë të trashëgimisë të inicojnë procedurë për trashëgimi vetëm në momentin kur kanë ushtruar ndikim tek femrat në mënyrë që të heqin dorë nga trashëgimia, duke u thirrur në tradita”, theksoi ajo.

Zyrtarja e Gjendjes Civile në Komunën e Gjakovës, Behije Zajmi, sqaron për KALLXO.com se Komuna mban evidencat që nga viti 1959 për dërgimin e aktvdekjeve në Gjykatën e Gjakovës.

“Ne kemi evidenca që nga viti 1959 që aktvdekjet i kemi dorëzu në Gjykatë por problemet kanë filluar kur palët kanë filluar të mos i gjejnë ato aktvdekje në Gjykatë dhe kanë filluar të kërkojnë sërish tek ne. Por, aktvdekja lëshohet veç një herë”, tha Zajmi.

Më tej ajo shtonj se nga paslufta kjo procedurë nuk është zhvilluar më, duke mos i dërguar aktvdekjet në Gjykatë.

“Prej masluftës nuk i kemi dërgu ma aktvdekjet në Gjykatë. Palët e interesume duhet me ardhë me i kërku vet dhe ne ua japim për me nisë trashëgiminë“, thekson Zajmi.

Zenel Hasanaj, zyrtar ligjor nga Zyra për ndihmë juridike falas në regjionin e Pejës, që përfshinë 6 komuna: Pejën, Gjakovën, Klinën, Deçanin, Istogun dhe Junikun, thotë për KALLXO.com që në këtë Zyrë nga ky regjion nuk ka ndonjë kërkesë të madhe për ndihmë në lëndët e kësaj natyre.

Megjithatë, ai shton se të gjitha rastet e paraqitura kanë pasur ndihmë konkrete duke angazhuar avokatë pa pagesë nga Zyra për ndihmë juridike në interes të palës.

“E angazhojmë avokatin, përfaqësuesin ligjor, e ka pa pagesë prej Zyrës tonë që përfaqëson interesin e atij apo asaj pale, domethënë atij trashëgimtari ose asaj trashëgimtareje që është në procedurë”, thekson Zenel Hasanaj.

Emisioni ‘Drejtësia në Kosovë’ është marrë me vështirësitë e grave kosovare në trashëgimi pronësore.

E Drejta e Mohuar e Grave

KALLXO.com ka raportuar edhe në raste të tjera rreth sfidave të grave rreth trashëgimisë në prona.

http://kallxo.com/gruaja-dhe-prona-prane-shtepive-te-pastreha/

http://kallxo.com/kthehen-ne-gjykate-te-akuzuarit-per-falsifikim-trashegimie/

http://kallxo.com/sfidat-e-gjykimit-te-trashegimise/

http://kallxo.com/interpretuesi-kanunit-shpjegon-te-drejten-e-grave-ne-trashegimi/