E Diela – Ditë Zie në Kosovë

Presidenti i Republikës, Hashim Thaçi, ka shpallur ditën e diel ditë zie për të nderuar viktimat me prejardhje nga Kosova të sulmit terrorist në Munich.

“Ky akt i dhunës ka prekur zemrat tona dhe ndërgjegjën e Europës. Familjeve të viktimave iu shprehi ngushëllime të thella. Unë dhe populli i Kosovës përkulet para tyre. Janë heronj të luftës për liritë dhe vlerat e përbashkëta në Europë”, ka theksuar presidenti Thaçi në një postim në “Facebook”.

Së paku tre qytetarë me origjinë nga Kosova janë vrarë në sulmin e mbrëmshëm në qendrën tregtare “Olympia” në Munich të Gjermanisë.

Bëhet fjalë për të rinjtë Dijamant Zabërgja, Armela Segashi dhe Sabina Sulaj.

http://kallxo.com/konfirmohet-3-kosovare-te-vrare-ne-munich/

Autoritetet gjermane kanë njoftuar se sulmuesi, një 18-vjeçar, shtetas gjerman por me prejardhje iraniane, kishte bërë vetëvrasje pak kohë pasi kishte shtënë në qytetarët e pafajshëm.

Po ashtu, autoritetet gjermane thonë se i riu që e shkaktoi kasaphanën vuante nga probleme me depresionin.