Gjykimi i avokatit Haxhi Çekaj – Foto: KALLXO.com

E dëmtuara: Për mbrojtjen e babait tim, avokati Çekaj i mori 83 mijë euro

Në gjykimin ku avokati Haxhi Çekaj po akuzohet për veprën penale të mashtrimit, ka vazhduar me dhënien e dëshmisë e dëmtuara Mirjeta Imeraj, vajza e të akuzuarit në çështjen penale ku Çekaj ishte i përfshirë si avokat i tij.

Mirjeta Imeraj gjatë kësaj seance u përgjigj në pyetjet e mbrojtësit të të akuzuarit, Haxhi Çekaj, avokatit Besnik Berisha.

Në hapje të seancës gjyqësore, prokurori i Prokurorisë Speciale, Sylë Hoxha, e njoftoi trupin gjykues të përbërë gjykatësit Valbona Musliu-Selimaj, Naime Krasniqi-Jashanica dhe gjykatësin Vesel Ismajli se përkundër kërkesës së mbrojtjes së të akuzuarit Haxhi Çekaj, që Prokuroria Speciale t’i siguronte disa incizime private të të dëmtuarës, të cilat e njëjta i kishte përmendur gjatë dhënies së dëshmisë së saj, tha se Prokuroria nuk disponon me ato dhe se përkundër faktit se ka kontaktuar edhe me hetuesin e rastit, nga Policia i është dhënë përgjigja se ato incizime nuk gjenden në polici pasi që sipas hetuesit, Policia nuk i ka ndalur ato incizime pasi që kanë qenë të marra në mënyrë të kundërligjshme por që vetëm u kanë hyrë në punë për inicim të rastit.

Për këto incizime të cilat Prokuroria deklaroi se nuk ka mundur t’i siguronte, mbrojtja e të akuzuarit Haxhi Çekaj, avokati Besnik Berisha konsideron se janë në favor të të mbrojturit të tij, prandaj ai edhe më tej qëndroi pranë kërkesës për sigurimin e këtyre incizimeve, duke kërkuar kështu një përgjigje zyrtare nga Gjykata.

Më tej gjatë marrjes në pyetje të të dëmtuarës, avokati Berisha e pyeti lidhur me hetuesin policor Smajl Krasniqin, të cilin hetues, e dëmtuara e kishte telefonuar nga Norvegjia, nga edhe e kishte lajmëruar rastin.

Në lidhje me këtë fakt, avokati Berisha e pyeti atë nëse ia kishte dorëzuar ato incizime këtij hetuesi, incizime të cilat tanimë nuk po gjenden as në shkesat e Prokurorisë e as të Policisë.

Për një gjë të tillë e dëmtuara tha se nuk është e sigurt nëse i ka dorëzuar në Polici por tha se e di se incizimin ua kishte treguar hetuesve policorë.

Në këto incizime e dëmtuara pretendon se me telefonin e saj e ka incizuar një bisedë në mes të saj dhe avokatit të babait të saj, tashmë të akuzuarit Haxhi Çekaj, ku sipas të dëmtuarës gjatë bisedës, i akuzuari Haxhi Çekaj i kishte kërkuar asaj shumën prej 40 mijë eurove, shumë të cilën kishte thënë se po e kërkonte në emër të trupit gjykues në mënyrë që babai i saj të lirohej nga akuza.

Por, këto incizime e dëmtuara tha se nuk i posedon më pasi në ndërkohë e ka ndërruar telefonin dhe i janë fshirë.

Ajo shtoi se nëse i ka dorëzuar ndonjëherë në Polici incizimet sipas saj një gjë të tillë e ka bërë përmes email-it.

Duke e ballafaquar me deklaratën e saj të dhënë në Polici, e dëmtuara u deklarua përsëri në lidhje me shumat për të cilat pretendon se ia kishte dhënë avokatit të babait të saj, tashmë të akuzuarit Haxhi Çekaj.

Ajo deklaroi se i akuzuari në total ka marrë shumën prej 83 mijë eurove, nga këto para sqaroi se 43 mijë euro i akuzuari i ka marrë nga ajo, dhe 40 të tjera nga shteti, para të cilat kanë qenë nga  simulimi i rastit.

Për 40 mijë euro për të cilat Imeraj tha se kanë qenë para të saj të cilat ia ka dhënë të akuzuarit, shuma prej 23 mijë eurove shtoi se i ishte kërkuar nga Çekaj për avokat dhe ekspertizë, kurse 20 mijë të tjera në emër të mbrojtjes.

“Unë 13 mijë euro i kam dhënë në emër të ekspertizës së Shqipërisë dhe 3 mijë euro i kam dhenë për sigurimin e të njëjtës ekspertizë, 2 mijë euro i kam dhënë në emër të hetuesit policor me shku në Turqi për ekspertizë, 5 mijë euro në emër të avokatit Ramë Gashi përfaqësuesi i palës së dëmtuar që ai të mos bëjë ankesë mos me kërku edhe një super-ekspertizë ndërsa 4 herë nga 5 mijë i kam dhënë në emër të avokatit që i ka lyp ky vetë për vete”, deklaroi e dëmtuara Imeraj.

Seanca e radhës do të mbahet me datën 12 dhjetor me ç’rast pritet që i akuzuarit të vazhdojë t’i parashtrojë pyetje të dëmtuarës.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Çekaj, në cilësinë e avokatit të të akuzuarit N.B., ndaj të cilit zhvillohet procedura penale në Gjykatën Themelore në Pejë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për veten apo për personin tjetër, ose për t’i shkaktuar dëme materiale personit tjetër, e ka mashtruar në kontinuitet të dëmtuarën Mirjeta Imeraj, nga data 06.01.2015 e deri më datën e arrestimit të tij më 15.02.2017.

Sipas aktakuzës, Çekaj kishte marrë para për mbrojtjen e N.B., babait të të dëmtuarës, në emër të mbrojtjes dhe në emër të ekspertizave, marrjes së një ekspertize nga Turqia, një shumë të përgjithshme prej 43 mijë euro.

Aktakuza sqaron se ish-avokati ka marrë nga e dëmtuara edhe shumën tjetër në emër të trupit gjykues të Gjykatës Themelore në Pejë prej 40 mijë euro, shumë kjo e konfiskuar nga ana e zyrtarëve me rastin e arrestimit të të pandehurit më 15 shkurt.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë proces gjyqësor. Raportimet për këtë rast mund t’i gjeni në këtë link.