E asistuar nga Policia, AKP mbyll Kooperativën Bujqësore në Rugovë

Zyrtarë të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, të shoqëruar nga zyrtarë të Policisë, e kanë mbyllur objektin e Kooperativës Bujqësore në fshatin Drelaj të Rugovës.

Ndaj këtij vendimi kanë reaguar shfrytëzuesit e deritashëm të këtij objekti.

KALLXO.com ka përcjellë nga afër aksionin e AKP-së kur iu ndërruan bravat dyerve të Kooperativës Bujqësore.

Por me këtë veprim të AKP-së nuk po pajtohen shfrytëzuesit e deritashëm të objektit.

Mehmet Lajçi është njëri prej tyre.

Avokati i tij, Ali Lajçi, tha për KALLXO.com se Mehmeti objektin e ka shfrytëzuar në bazë të marrëveshjes së vitit 2017.

Ai tha se në këtë objekti deri më tani është bërë grumbullimin i frutave të malit, gjë e cila, sipas tij, ka qenë në interes edhe të banorëve të kësaj zone.

Sipas tij, AKP-ja ka hapur procedura të tenderimit në mënyrë të gabuar pasi që brenda objekti gjenden  makineri e kushtueshme që janë pronë e Mehmet Lajçit.

“Është e vërtetë që e kanë qitë në tender, por e kanë qitë në mënyrë të gabuar. Thuhet se qitet në tender për privatizim  Kooperativa Bujqësore në Drelaj, ndërsa këtu AKP-ja ka në menaxhim vetëm muret, e brendia është me frigoriferë që kushtojnë qindra mijëra euro, diku 200 mijë euro”, tha avokati.

Sipas tij, ndaj klientit të tij është bërë kallëzim i rrejshëm penal, siç tha ai, për heqjen e shiritave informues në objekt.

Të kontaktuar nga KALLXO.com, Agjencia Kosovare e Privatizimit ka sqaruar aksionin për mbylljen e Kooperativës Bujqësore.

Sipas AKP-së, nuk ka pasur asnjë marrëveshje për shfrytëzimin e objektit.

“Mehmet Lajçi ka pasur kontratë qiraje të nënshkruar me menaxhmentin e NSH-së dhe kontrata e fundit e nënshkruar ka skaduar me datë 1 tetor 2007. Ndërsa me AKP-në nuk ka pasur të nënshkruar asnjëherë kontratë qiraje, përkundër përpjekjeve nga ana e AKP-së që i njëjti si shfrytëzues i pronës të hyjë në marrëveshje qiraje”, thuhet në përgjigjen e AKP-së për KALLXO.com.

Tutje, sipas përgjigjeve të dërguara nga Veton Hajdini, kryesues i njësitit për media në AKP, kjo e fundit i ka ofruar mundësi marrëveshjeje Mehmet Lajçit, mirëpo i njëjti, sipas tyre, nuk është përgjigjur pozitivisht.

“Me datë 01 qershor të vitit 2012  AKP i është drejtuar me shkresë për bazën e shfrytëzimit të objektit mirëpo i njëjti nuk është përgjigjur fare, andaj edhe ndaj z. Lajçi është inicuar procedura civile me datë 19 qershor 2012. Përkitazi me mundësinë e shfrytëzimit me kontratë qiraje AKP i ka ofruar palës që të hyjë në marrëveshje qiraje dhe duke u bazuar në pajtimin verbal të bashkëpunëtorit të z. Lajçi, i cili ka ardhur në zyrë pas vendosjes së lajmërimit/posterit nga ana e AKP-së që prona është në administrim të AKP-së, me ç’rast edhe ka formuar komisionin për vlerësim të  qirasë, mirëpo pas kësaj kur është ftuar që të vijë dhe të nënshkruajë kontratën e qirasë i njëjti nuk është paraqitur që ta nënshkruajë atë”, thuhet në përgjigjet për KALLXO.com.

Sipas AKP-së, Kooperativa Bujqësore në Drelaj të Rugovës ishte mbyllur edhe në vitin 2016, por dy vite më vonë pas daljes në terren është konstatuar se objekti është duke u shfrytëzuar sërish.

Për këtë rast thuhet se Policia e Kosovës ka ngritur kallëzim penal ndaj Mehmet Lajçit.

“Meqë pala nuk ka ardhur që të nënshkruajë kontratën e qirasë, AKP me asistencë të Policisë së Kosovës më datë 6 prill 2016 ka mbyllur objektin e Kooperativës Bujqësore “Drelaj” ku janë vendosur edhe lajmërimet/posterët që prona është në administrim të AKP-së si dhe është vendosur njoftimi për mosheqjen/dëmtimin e shenjave zyrtare. Meqë pas vizitës në terren me datë 11 prill 2018 nga ana e zyrtarëve të AKP-së është vërejtur që objekti është duke u shfrytëzuar, rasti është paraqitur në Polici andaj  Policia ka zhvilluar hetimet dhe ka ardhur në përfundim që objekti është duke u shfrytëzuar në mënyrë joligjore dhe ka ngritur kallëzim penal”, thuhet në përgjigjen e AKP-së.

Të pyetur rreth makinerisë që gjenden brenda objektit të Kooperativës Bujqësore, AKP-ja ka theksuar se nuk mbajnë përgjegjësi për to.

“Për sa i përket makinerisë që ndodhet brenda objektit që Mehmet Lajçi pretendon se janë pronë e tij, i njëjti është informuar edhe në shkresat e mëhershme që AKP nuk do të mbajë përgjegjësi për ruajtjen, sigurinë dhe bartjen e gjësendeve të luajtshme të cilat ndodhen në objekt. Kërkesëpadia e ushtruar nga z. Lajçi për njohje të investimeve është refuzuar nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme të Kosovës (DHPGJS) me datë 27 maj 2009, ku z. Lajçi ndaj këtij Aktgjykimi ka ushtruar ankesë dhe e njëjta është refuzuar nga Kolegji i apelit të DHPGJS me datë 21 maj 2015”, bënë të ditur AKP.

Kurse avokati Lajçi tha se do ndërmarrin veprime ligjore për dëmet e shkaktuara nga AKP-ja.