E akuzuara për vrasje në Malishevë pranon se mbajti armë pa leje

Nafije Rrafshi e akuzuar për vrasjen e Sefer Berishes dhe për armëmbajtje pa leje, sot para gjykatës u deklarua e pafajshme lidhur me vrasjen.

“Për vrasjen nuk ndihem aspak fajtore, e për armëmbajtje pa leje e pranoj fajësinë” , tha Rrafshi.

Në gjykimin e sotëm gjyqtari i rastit Shaqir Zika, e aprovoi pranimin e fajësisë për armëmbajtje pa leje, duke caktuar seancën e dytë për në muajin prill.

E dyshuara ndodhet në paraburgim që nga tetori i vitit të kaluar.

Sipas Prokurorisë, përmes aktakuzës së ngritur në muajin janar 2019, kjo ngjarje ka ndodhur për arsye ende të panjohura për ata.

Aktakuza shpjegon se Nafije Rrafshi në fshatin Lladrovc të Malishevës, kishte vrarë tani të ndjerin Sefer Berishën 57 vjeçar.

Në aktakuzë thuhet se derisa Sefer Berisha ishte duke e vozitur automjetin e tij të udhëtarëve dhe ndalet në një breg në afërsi të një pylli, e pandehura Nafije shkon dhe i ulet në ulësen e pasme.

Pas një fjalosjeje dhe kacafytje e njëjta nga çanta e saj nxjerr revolen dhe e qëllon të ndjerin disa herë dhe më pas largohet nga vendi i ngjarjes- thuhet në aktakuzë.

https://kallxo.com/aktakuze-ndaj-nje-te-dyshuare-per-vrasjen-ne-lladrovc-te-malisheves/

Kallxo.com kishte raportuar edhe më herët për këtë rast.

Fillimisht nga organet policore për këtë rast të vrasjes së 4 Gushtit 2018, ishte arrestuar një mashkull.

https://kallxo.com/arrestohet-nje-i-dyshuar-per-vrasjen-e-4-gushtit-ne-lladrovc-te-malisheves/

Mirëpo më pas, Policia në bashkëpunim me Prokurorinë kishin gjetur si të dyshuar Nafije Rrafshin.

https://kallxo.com/arrestohet-edhe-nje-grua-per-vrasjen-e-57-vjecarit-ne-lladrovc-te-malisheves/