Gjykimi për mashtrim me subvencione - Foto: KALLXO.com

E akuzuara për mashtrim me subvencione e pranon fajësinë

Gjykata e Prishtinës e ka pranuar marrëveshjen për pranimin e fajësisë, të arritur mes të akuzuarës Ardiana Gorani dhe Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Në këtë gjykim, ish-sekretarja e përgjithshme e Ministrisë për Kthim dhe Komunitete, Zana Kotorri akuzohet për tri vepra penale: keqpërdorim i detyrës zyrtare, marrje e ryshfetit si dhe veprën penale të mashtrimit në bashkëkryerje me dy të akuzuarat e tjera Ardiana Gorani e Hana Berisha. Këto dy të fundit akuzohen edhe për veprën penale dhënie e ryshfetit, lidhur me projektin e shoqatës SHIPPL, me emër “Dua dhe mundemi së bashku”.

Në seancën e sotme, prokurori i Prokurorisë Speciale, Haki Gecaj, e njoftoi trupin gjykues se e akuzuara Ardiana Gorani nëpërmjet mbrojtësit të saj ka propozuar marrëveshje për pranim të fajësisë dhe se në bazë të kësaj kërkese, ai ka kërkuar nga Kryeprokurori autorizim për negocimin e saj.

“Pas sigurimit të autorizimit, unë kam ftuar të akuzuarën dhe mbrojtësin e saj për negocim. Po ashtu para se të përfundojë kjo marrëveshje i kam ftuar palët e dëmtuara, me përjashtim të Bedri Sejdiut, i cili ka deklaruar se nuk i bashkëngjitet ndjekjes penale ndaj të akuzuarës Ardiana Gorani”, tregoi prokurori Gecaj.

Lidhur me këtë, prokurori tha se ua ka përcjellë dëmtuarve një shënim zyrtar për kushtet e marrëveshjes, e cila parasheh që Ardiana Gorani deri më datë 1 tetor 2019 të dëmtuarve Bajram Ahmetaj t’i kompensohet shuma prej 26 mijë e 200 euro, Imer Jusajt t’i kompensohet shuma prej 13 mijë euro dhe Hazir Bufajt, t’i kompensohet vlera prej 17 mijë euro.

“Të dëmtuarit pasi janë njoftuar me kohë me  kërkesën time për pranim të fajësisë me të akuzuarën Ardiana Gorani dhe mbrojtësin e saj, më informuan se janë pajtuar që të arrihet marrëveshja për pranim të fajësisë për veprën penale të mashtrimit”, tha prokurori.

Më pas, kryetarja e trupit gjykues, Nushe Mekaj, e ftoi të akuzuarën Ardiana Gorani që të deklarohet mbi kushtet dhe rrethanat e pranimit të fajësisë.

E akuzuara në fjalë deklaroi se ka pranuar në mënyrë të vullnetshme, nuk është mashtruar dhe me vetëdije të plotë  kushtet dhe peshën e pranimit të fajësisë.

Trupi gjykues pas këshillimit konstatoi se aprovohet marrëveshja në fjalë.

Pas përfundimit të pjesës për marrëveshjen për pranimin e fajësisë, shqyrtimi gjyqësor vazhdoi me dëgjimin e dëshmitarëve të propozuar nga Prokuroria.

Fillimisht dëshmoi Melihate Husaj, e cila me gjithë problemet shëndetësore që kishte iu përgjigj pyetjeve të prokurorit.

Ajo tha se përveç Ardianës të tjerat të akuzuara nuk i njeh dhe deklaroi se mbetet në tërësi pranë deklaratës së dhënë më herët në Prokurori.

Pastaj dëshmoi Hamdi Alaj, i cili fillimisht tha se nuk i njeh të akuzuarat, përpos Hana Berishës të cilën e kishte bashkëvendëse.

Hamdi Alaj po ashtu tha se deklarata që e kishte dhënë më parë në Polici nuk është e saktë, sepse zyrtarët policorë nuk ia kishin lexuar procesverbalin, “pasi nuk i kam pasur syzet me vete dhe  nuk e di se çfarë kam nënshkruar”.

Ky pohim nga ana e tij u bë pasi që kishte kontradikta mes deklarimit të tij në seancë gjyqësore dhe deklarimin në Polici dhe Prokurori.

Alaj për fund mohoi t’i ketë dhënë para të akuzuarës Hana Berisha për këtë projekt që e kishte fituar, ndërsa sqaroi se i kishte dhënë asaj tre mijë euro, të cilat ia kishte pasur borxh bashkëshortit të saj, pasi që i njëjti i kishte kryer disa punime në shtëpinë e tij.

Në këtë seancë dëshmoi edhe Yllka Kotorri, motra e të akuzuarës Zana Kotorri, e cila ishte e ftuar si dëshmitare e privilegjuar.

Ajo theksoi  se motra e saj Zana Kotorri e kishte porositur që  të shkojë dhe të marrë disa dhurata në zyrën e Ardiana Goranit për fëmijët e dëshmorëve, në prag të festës së Vitit të Ri.

Pasi që Ardiana e kishte njoftuar se nuk kishin mbetur më dhurata në zyrë, e kishte lutur që t’i merrte ca para në vlerë prej 160 eurove dhe të shkonte të blinte dhuratat.

Lidhur me këtë, dëshmitarja Yllka Kotorri, tha se kishte nënshkruar një paragon lidhur me pranimin e kësaj shume të parave, mirëpo sipas saj, aty nuk kishte qenë vlera 16 mijë euro, por 160 euro.

Prokuroria e ballafaqoi dëshmitaren me një marrëveshje në shumën prej 16 mijë euro të cilën e kishin lidhur Zana Kotorri e Adriana Gorani e që aty ishte edhe nënshkrimi i dëshmitares. Lidhur me këtë  dëshmitarja në fjalë sqaroi se ai nënshkrim i përngjan nënshkrimit të saj, por që për përmbajtjen e kësaj marrëveshje nuk e ka parë asnjëherë.

Ajo sqaroi se kur kishte nënshkruar paragonin, i kishte pranuar 160 euro. “Në tavolinë kishte pasur edhe disa dokumente  të tjera, por që për përmbajtjen e tyre nuk jam në dijeni”, tha ajo.

Pas përfundimit të dëshmisë së Yllka Kotorrit, prokurori i propozoi Gjykatës që të ftohen për dëshmitarë edhe zyrtarët policorë që kishin marrë në pyetje dëshmitarin Hamdi Alaj.  Propozim që u kundërshtua nga avokatët e Zana Kotorrit dhe Ardiana Goranit me arsyetimin se sipas KPP deklarimi i zyrtarit policor nuk mund të përdoret si provë në shqyrtim gjyqësor, por vetëm si informatë.

Lidhur me këtë propozim të prokurorit, trupi gjykues tërhiqet dhe për këtë do të japë vendim nesër.