Fotografia e të dyshuarit për sulmin në Stokholm, e lëshuar nga policia suedeze.

I Dyshuari për Sulmin në Stokholm Pranon ‘Krimin Terrorist’

BBC raporton se pranimi u bë gjatë marrjes në pyetje në kryeqytetin suedez.

Rakhmat Akilov nga Uzbekistani, e ka pranuar para gjykatës përgjegjësinë për sulmin.

Katër veta u vranë kur një kamion u drejtua në një qendër tregtare të premten e kaluar. Një numër i madh i njerëzve kanë marrë lëndime nga ky sulm, përfshirë edhe dy persona që janë në gjendje të rëndë shëndetësore.

“Qëndrimi i tij është se e pranon krimin terrorist dhe e pranon që do të mbesë në paraburgim”, tha avokati Johan Eriksson.

Akilov u soll në gjykatë me pranga në duar.

Siguria ishte përforcuar ndërsa galeria e gazetarëve ishte e mbushur përplot, sipas një korrespondenti të BBC-së në seancën gjyqësore, e cila është mbajtur prapa dyerve të mbyllura.

I dyshuari kishte veshur pantallona jeshile dhe iu tha që ta largojë një mbulesë të gjelbër nga koka para se të fillonte gjykimi.

Policia suedeze tha se Akilov ishte i njohur për shërbimet e sigurimit.

Atij iu kishte refuzuar leje-qëndrimi në Suedi dhe kishte shprehur simpatinë për të ashtuquajturin Shtetin Islamik (IS), thanë këto shërbime.

Raportohet se ai ishte larguar nga vendi i ngjarjes të premten, i mbuluar në gjak dhe xhama, dhe ishte arrestuar disa orë më pas në një lagje periferike të Stokholmit.

Raportimet thonë se ai ka lënë gruan dhe katër fëmijë në Uzbekistan në mënyrë që të fitojë para për t’i dërguar në shtëpi.

Pasi kishte aplikuar për leje-qëndrim në vitin 2014, ai është informuar në dhjetor të vitit të kaluar se “kishte katër javë afat për ta lëshuar vendin”, tha zyrtari policor Junas Hysing.

Ai u zhduk në muajin shkurt dhe u vendos zyrtarisht në listën e personave të kërkuar.