Foto: Let's Do It Kosova

Dyshimet për parregullsi në fushatën për pastrim, Qeveria nuk i konteston gjetjet, Hasanaj ka dyshime

Mjegull e tërë është krijuar së fundmi pasi Auditori Gjeneral zbuloi dyshime për parregullsi në mënyrën dhe shpenzimin e mbi 800 mijë eurove, të cilat me vendim të Qeverisë iu ndanë organizatës Let’s do it Kosova.

Raporti i cili ka dalë dje ka konstatuar mungesë të dhënash, faturash dhe procedurash se si janë ndarë fondet.

I kontaktuar nga KALLXO.com, drejtori i organizatës Let’s do It Kosova, Luan Hasanaj, ka thënë se puna është bërë në mënyrë korrekte dhe transparente.

“Ne kemi m’e kërku përgjigje prej Auditorit, me e pa se ku janë këto probleme. Ne e kemi një vendim Qeverie i cili e ka aprovuar kërkesën tonë, fillimisht për krijimin e Task Forcës për pastrimin e Kosovës në të cilin kanë marrë pjesë shumë ministri, shumë institucione tjera, mandej kjo Task Forcë ka qenë ajo e cila i ka aprovuar të gjitha raportet, kërkesat të cilat kanë dalë si rrjedhojë e takimeve që janë mbajtë për pastrimin e Kosovës”, ka thënë Hasanaj.

Ndryshe nga Hasanaj, Qeveria e Kosovës në letrën dërguar Auditorit ka pranuar gjetjet dhe konstatimet e dhëna nga Auditori si dhe është zotuar e do të ndërmarrë masa për zbatimin e tyre.

“Pajtohem me të gjeturat dhe rekomandimin dhe nuk kam ndonjë koment për përmbajtjen e raportit”, ’ka shkruar Fitim Krasniqi sekretar i Qeverisë.

Duke iu referuar deklarimit të Auditorit për mungesë të raportit financiar, Hasanaj ka thënë që Let’s do It Kosova ka dorëzuar raport financiar te Qeveria.

“Ne i kemi dorëzuar gjithmonë faturat me kohë atje, është dorëzuar edhe raporti financiar. Seriozisht unë nuk e kuptoj ku janë gjetë këto shkelje dhe dyshime për të cilat ju po flisni”, ka thënë Hasanaj.

Për këtë çështje është deklaruar edhe kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj i cili ka thënë që nuk mund të jap detaje për rastin specifik por që auditimi ka qenë kërkesë e tij.

“Ne e kemi kërkuar këtë auditim. Kërkesa ka qenë e imja për auditimin e Kryeministrisë. Është institucion i madh, ka plot departamente, drejtori, mekanizma. Të gjitha gjetjet do t’i trajtojmë sipas ligjit. Ne e kemi kërkuar këtë auditim në mënyrë që ta kuptojmë si po shkojnë procedurat e brendshme. Tash nuk mund të jap detaje për asnjërën nga këto, por e kemi kërkuar vetë”, ka thënë Haradinaj kur u pyet nga KALLXO.com në konferencën e sotme për shtyp.

Në janar të këtij viti kishte përfunduar aksioni ‘Ta pastrojmë Kosovën’, dhe në prill të këtij viti KALLXO.com ka kërkuar nga Luan Hasanaj të dhëna se sa para i ka marrë Let’s do It Kosova për këtë projekt, mirëpo Hasanaj nën arsyetimin se janë duke u marrë me auditim ka thënë që të dhënat do të publikohen në web-faqe.

Raporti financiar i kësaj fushate është publikuar në web-faqen Tapastrojmëkosoven.org në qershor, më saktësisht sot në ora 14:00.

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), në analizimin e pasqyrave financiare të Zyrës së Kryeministrit ka thënë se nuk janë në gjendje të konfirmojnë nëse fondet në vlerë prej 815,035€ të cilat Qeveria e Kosovës i ka ndarë për themelimin e Task Forcës për pastrimin ne ambientit në Kosovë janë shpenzuar në mënyrë të rregullt dhe në përputhje me ligjin.