Dyshimet e Para të Prokurorisë për Azem Sylën

Prokurori italian Danilo Ceccarelli bartë mbi supe përgjegjësinë për hetimin e njërit prej rasteve më të mëdha penale në Kosovën e pasluftës, të paktën për nga numri i të akuzuarve.

Dyshimet e ngritura nga prokurori italian rëndojnë mbi 50 të dyshuar, në mesin e të cilëve edhe një nga figurat kryesore të Partisë Demokratike të Kosovës, Azem Syla.

Hetimi për aksionin e mëngjesit të së mërkurës besohet të ketë nisur në fund të prillit të vitit 2014.

Qëllimi i hetimit ishte sigurimi i provave të cilat dëshmojnë se grupi në të cilin bën pjesë edhe Azem Syla kanë tjetërsuar prona në mënyrë të paligjshme.

Sipas Prokurorisë, pronat të cilat ishin në emër të ndërrmarrjes “Kosova Export” para vitit 1944 kishin pronarë privatë dhe të pandehurit pas vitit 2006 duke shfrytëzuar disa vendime të gjykatave arritën t’i regjistrojnë këto prona në emër të pronarëve serbë e në disa raste edhe në emër të pronarëve fiktivë.

Gjithnjë sipas pretendimeve të Prokurorisë, të pandehurit kanë përdorur dokumentet për të lehtësuar bartjen e pronësisë në Zyrën Kadastrale nga Ndërmarrja Shoqërore KBI “Kosova Export” në emrin e përfituesve dhe kjo bartje ishte autorizuar nga Zyra Kadastrale pa miratimin e AKP-së.

Pronat në fjalë sipas Prokurorisë më pas ishin shitur ose bartur tek anëtarët e grupit.

Nga hetimet e tij prokurori Cecarrelli pretendon se Azem Syla ka qenë pjesë e grupit.

Rol të veçantë në grup ka luajtur edhe vozitësi i tij Anton Villa, i cili ishte përfshirë sidomos në shitjen e pronave.

Grupi është ndihmuar edhe nga i arrestuari tjetër, Hajrullah Berisha, i cili ka ndihmuar në lehtësimin e procedurave gjyqësore para Dhomës së Veçantë. Në rolin e shitjes së pronave ishte i përfshirë edhe Ilaz Syla.

Sipas Prokurorisë, në raste të caktuara grupi është ndihmuar edhe nga Avni Maxhuni, i cili duke vepruar si avokat është marrë me ndërmjetësimin e çështjeve në mes viteve 2011-2012.

Rol në grupin pjesë e të cilit është edhe Syla sipas Prokurorisë kishte edhe ish-kryetari i Gjykatës Komunale të Prishtinës Nuhi Uka.

Ky i fundit dyshohet se ka lëshuar vendime të trashgëmisë të falsifikuara në të paktën dy raste.

Prokuroria po ashtu  pretendon se i arrestuari tjetër, Sabedin Haxhiu, si shef i Zyrës së Kadastrit, ka siguruar dhe aprovuar bartjen e pronësisë në kadastër, nga KBI te përfituesi.

Pretendimet e prokurorit Ceccarelli janë lexuar sot në seancën gjyqësore ku ai ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit për gjashtë të arrestuarit e rastit Syla. Vendimi për masën pritet të merret ditëve në vijim.