Arkiv

Dyshime për ndotjen me helme të lumit Lepenc

Banorët e fshatit Semaj në komunën e Kaçanikut, sot kanë raportuar në KALLXO.com, se kompania ”Bubeari Petrol”, me pronar Naser Gurin është duke e helmuar lumin Lepenc duke hedhur substanca kimike.

Komuna e Kaçanikut thotë se tashmë kanë penguar aktivitetet e kompanisë në fjalë, mirëpo përfaqësuesi i “Bubeari Petrol”, thotë se nuk qëndrojnë pretendimet se ata kanë ndotur këtë lum.

Kryetari i komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi ka thënë për KALLXO.com se për rastin është njoftuar sot në mëngjes nga drejtori i Urbanizmit dhe se menjëherë janë ndërmarrë masat nga personat zyrtarë.

“Kanë qenë ndoshta një keqkuptim i kompanisë atje, gjë që sot i kemi ndërmarrë të gjitha masat por besoj që brenda ditës rregullohet gjithçka. Dje na kanë informu, nuk e kemi ditë, zyrtarët tanë i kanë lajmëru nga fshati Semaj dhe ata kanë dalë menjëherë dhe e kanë penguar kompaninë për më tutje, por të shohim tash procedurat tjera. Anën ligjore do ta shfrytëzojmë për kompaninë gjegjëse, kuptohet do të procedojmë më tutje lëndën”, ka thënë Ilazi.

Sipas Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve, pronar i ndërmarrjes prodhuese tregtare shërbyese “Bubeari Komerc”, është Naser Guri.

 

 

Bunjamin Guri nga kompania “Bubeari Petrol”, tha për KALLXO.com se nuk qëndrojnë pretendimet e banorëve se kjo kompani ka ndotur lumin Lepenc me substanca kimike.

”Jo gabim jeni informuar. Gabim është ajo. Jo nuk kemi hedhur”, ka thënë Guri.

Për këtë rast ka reaguar edhe Shoqata e Peshkatarëve në Kaçanik, të cilët fajësojnë pompën e benzinës “Bubeari-Petrol” për ndotjen e këtij lumi, e që sipas tyre, po ngordhin shumë peshq.

Naser Guri, pronar i kompanisë ‘Bubebari Komerc’, në shtator të vitit 2017-të, dyshohej se kishte bërë prodhim të palicensuar të gazit medicinal, duke shkaktuar vdekje zinxhirore në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Gjykata Themelore në Prishtinë kishte caktuar masën e paraburgimit ndaj të dyshuarit Naser Gurit, pronar i kompanisë ‘Bubeari Komerc’, i cili e kishte furnizuar QKUK-në me gazin që prokuroria pretendonte se është shkaktar i vdekjes së tre pacientëve.

https://kallxo.com/ekskluzive-te-gjeturat-e-prokurorise-per-gazin-e-vdekjes-ne-qkuk/

.