Dy Vjet Depolitizim të Arsimit Përmes Politikës në Malishevë

Malisheva mund të ketë probleme të mëdha në infrastrukturë, investime e së fundmi me vërshime por dy vitet e para të qeverisjes së Ragip Begajt në këtë komunë janë përqendruar kryesisht në diskutime për arsimin.

Jo për ndonjë projekt madhor zhvillimi të këtij sektori, por për përjashtme nga puna e punësime të cilat nxitën reagime të partive të cilat pas zgjedhjeve lokale të vitit 2013 mbetën në opozitë.

Dy vjet më parë, kur kishte dalë në debatin parazgjedhor në “Jeta në Komunë”, Begaj kishte premtuar se “arsimi do të ketë një tretman të veçantë”.

Ai kishte premtuar “rivendosje të ligjshmërisë në shkolla, distancim nga drejtorët politikë e kthim të dinjitetit të profesorit”.

Edhe një premtim tjetër e kishte bërë për “mospërfshirje të politikës në përcaktimin e drejtorëve në shkolla”.

Dy vjet më pas, në “Jeta në Komunë”, kur ka ardhur në gjysmë të mandatit të parë në krye të komunës, Ragip Begaj po kritikohet nga opozita.

“Gjithë atë që e kemi thënë në fushatë kjo qeveri ka arritë ta përmbushë në maksimumin e mundshëm. Në arsim kemi trashëgu shumë probleme dhe është e pamundur të zgjidhen të gjitha por kemi arritur deri diku”, tha Begaj në debatin e moderuar nga Jeta Xharra para asamblistëve të komunës që drejton.

“Mandatin e kaluar 26 drejtorë kanë qenë të pranuar në mënyrë të parregullt. Gjendja tash është përmirësuar dhe kjo vërehet nga qytetarët”, tha ai.

Por Valon Hoti i Vetëvendosjes nuk është i bindur me veprimet e Begajt.

“Gjendja në arsim vazhdon të mbetet e rëndë, qeverisja Begaj nuk ka arritur ta thyejë logjikën e mbrapshtë e cila ka qenë e instaluar nga PDK”, tha Hoti.

“Edhe sot ka shumë arsimtarë që janë pranuar pa konkurs dhe nuk e meritojnë të jenë aty”,u shpreh Hoti para se t’i numërojë se në komunën e Malishevës 76 arsimtarë janë të padiplomuar, 6 nuk kanë fare të regjistruar një fakultet dhe mbi 80 punojnë me diploma false.

Ahmet Rrahmanaj i PDK-së u ndal te kontestet gjyqësore të cilat janë iniciuar nga arsimtarët e larguar nga puna gjatë qeverisjes së Ragip Begajt.

“Janë 140 punëtorë për bindje politike që janë largu nga puna, 12 drejtorë që janë larguar dhe me vendime gjyqësorë kthehen në punë. Punësimet bëhen me baza politike”, tha Rrahmanaj.

Por Begaj mohoi këto shifra duke thënë se të gjithë drejtorët e larguar janë sistemuar në vende tjera.

Por kurthit të politizimit të arsimit, Ragip Begaj duket se nuk ka mundur t’i ikë.

Në një rast, asamblistes së subjektit politik në pushtet, NISMA, Floriana Demaj, i është zgjatur kontrata e punës si arsimtare pa iu nënshtruar konkursit.

Për këtë, KALLXO.com kishte raportuar në nëntor të vitit të kaluar.

http://kallxo.com/asamblistja-e-partise-ne-pushtet-punesohet-pa-konkurs/

Blerim Thaçi, drejtor i Komunal Arsimit, tha se nuk ka pasur ndonjë rast në Kosovë kur është shpallur konkurs për lëndë zgjedhore. Megjithatë, ai tha se konkursi është shpallur kur këtë e ka kërkuar Inspektorati i Arsimit.

“Këtu nuk ka pasur qasje politika por vetëm profesionalizmi”, tha Thaçi gjatë intervenimit të tij në debat.

Edhe problemet e Qendrës së Kompetencës u trajtuan në këtë debat.

http://kallxo.com/19-profesore-mbesin-pa-paga-ne-qendren-e-kompetences-se-malisheves/

Por për Brahim Morinën e LDK-së që është partnere e Begajt në koalicionin lokal, gjendja në arsim “ka qenë më e keqe” në kohën e qeverisjes së PDK-së.

Jashtë arsimit, në dekadat e fundit, Malisheva është njohur me problemin e pickimit të rriqrave.

Për shumë vjet, në Malishevë rriqrat kanë shkaktuar edhe viktima në njerëz.

Por Ragip Begaj thotë shprehet i lumtur që në dy vitet e para të qeverisjes së tij nuk pati ndonjë viktimë nga ethet hemorragjike.

“Nuk e kemi pasë asnjë vdekje nga rriqrat këto dy vjet dhe mjafton që te askush nuk kemi shku për kryeshnosh për këtë çështje”, tha ai.

Në debat u përmendën edhe investimet në sport dhe investimet kapitale që kjo qeverisje pati premtuar dy vite më parë.

Stadiumi i qytetit, një investim 400 mijë euro i bërë vite më parë nga qeveria qendrore është lënë anash dhe pa përkujdesje. Ky stadium është demoluar dhe shkatërruar deri në pikën që qeverisja aktuale e Begajt ka ndarë 40 mije euro të tjera për ta kthyer në funksion. Ky shkatërrim është bërë dy muaj para se “Jeta në Komunë” ta vizitojë Malishevën. Këtë e ka pranuar edhe vet Ragip Begaj.

Asambleja Komunale e Malishevës i ka 31 anëtarë. Nga ta, IQM është më e përfaqësuara me 13 këshilltarë komunalë. LDK ka 8 këshilltarë, PDK 7, Vetëvendosje  2 dhe AAK 1.

Begaj ka kaluar disa mandate në poste të ndryshme drejtuese në komunë si kuadër i PDK-së deri në kohën kur u nda nga kjo parti në vitin 2013 për t’iu bashkuar Iniciativës Qytetare të mbështetur nga Fatmir Limaj.

Së fundmi ishte kryesues i Asamblesë Komunale.

Në debat, Begaj vazhdimisht u drejtohej asamblistëve të PDK-së me shprehjen “në kohën tuaj”.

Kjo e irritoi Vllaznim Kryeziun e PDK-së.

“Thuaj në kohën tonë. Si kryesues i asamblesë a e ke ngritë zërin ndonjëherë”, pyeti Kryeziu.

“Kam qenë një ndër themeluesit e PDK-së (në Malishevë). Bile kur kam dalë nga PDK, s’di çka ka mbetë në PDK, këta e dinë më mirë”, u përgjigj Begaj.