Gjykata Themelore në Gjilan

Dy Vjet Burg Keqpërdoruesve të Detyrës

Selami Shalën e Enver Vokshin i shpalli fajtorë trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Emine Salihu.

Selami Shala u dënua me burg efektiv  në kohëzgjatje prej 1 vit e 6 muajsh, ndërsa Enver Vokshi me 6 muaj.

Para se të shpallej vendimi i gjykatës, fjalët përfundimtare i paraqitën prokurori i shtetit Shaban Spahiu, i dëmtuari Taulant Gutaj dhe dy avokatët Flamur Ahmeti dhe Sherif Sherifi.

Prokurori në fjalën e tij tha se ricilëson aktin akuzues  nga vepra penale shpërdorim i detyrës zyrtare në veprën keqpërdorim të detyrës zyrtare, pasi që kjo vepër penale parasheh dënim më të ulët për të akuzuarit.

Prokurori hoqi dorë nga ndjekja e të akuzuarve për falsifikim të dokumentit zyrtar, pasi tha se kjo vepër është vjetërsuar. Falsifikimi i ngarkohej Selami Shalës.

Fjalën e tij e paraqiti dhe Taulant Gutaj i dëmtuar dhe përfaqësues i Bankës Ekonomike Qendra në Prishtinë, i cili tha se kjo bankë nga veprimet e të akuzuarve ka humbur 51 mijë euro.

Ai kërkoi nga gjykata që t’ia njohë Bankës Ekonomike të drejtën për kompensim material.

Fjalët e tyre i dhanë edhe dy avokatët të cilët kërkuan që të lirohen të mbrojturit e tyre, ndërsa avokati Sherif Sherifi i cili mbron Selami Shalën, tha se heqja dorë e prokurorit ngaa ndjekja penale për falsifikim është e vonshme.

Selami Shala akuzohej se në qershor të vitit 2006 me qëllim që vetes apo tjetrit t’i sjellë dobi pasurore, ka shpërdorur detyrën zyrtare, ashtu që si menaxher i Bankës Ekonomike në Gjilan ka tërhequr të hollat në shumën prej 40,000 eurosh nga xhirollogaria e një klienteje, duke e dëmtuar atë në shumën prej 8000 eurove për mosecje të normës së kamatës.

Sipas aktakuzës, i njëjti në po atë muaj  ka përpiluar dhe nënshkruar një dokument të falsifikuar, përkatësisht fletëtërheqje në emër të kësaj klienteje, duke kryer kështu veprën penale falsifikim i dokumenteve, e cila sipas prokurorit është vjetruar.

Enver Vokshi ngarkohej se nuk ka futur në sistemin bankar marrëveshjen mbi depozitën me afat të nënshkruar nga Hasani, duke i shkaktuar dëm financiar klientes së bankës Ekonomike.