Ilustrim

Dy tifozë të arrestuar pas ndeshjes Ballkani - Gjilani

Skuadra Ballkani nga Suhareka e ka mposhtur skuadrën e Gjilanit me rezultat 3:0, duke u kualifikuar për në çerekfinale të Kupës së Kosovës në futboll.

Pas ndeshjes Ballkani – Gjilani, ka pasur një incident mes tifozëve “Skifterat” dhe forcave të rendit.

Vesel Gashi, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit ka thënë për KALLXO.com se në Polici janë shoqëruar 2 persona që janë identifikuar si tifozë të Gjilanit.

Gashi ka thënë se Policia ka hedhur edhe sprej dhe ka përdorur prangat për të ndaluar dy tifozët që janë treguar agresivë dhe kanë penguar zyrtarët policorë në kryerjen e detyrës zyrtare.

“Njëri nga simpatizantët ka pasur një shufër metalike, Policia ka tentuar t’ia largojë dhe dy prej tyre janë treguar agresivë dhe kanë penguar Policinë në kryerjen e detyrës zyrtare dhe janë shoqëruar në Polici. Rasti do të vazhdojë në procedurë të rregullt”, ka deklaruar Vesel Gashi për Kallxo.com.