Dy të Plagosur me një Plumb në Prizren

Policia Regjionale e Prizrenit, ka njoftuar se të mërkurën rreth orës 20:20 minuta, në rrugën “Vëllezërit Dehiri”, ka ndodhur plagosje e dyfishtë.

“Një i dyshuar me gjasë aksidentalisht e ka shkrehur një plumb nga pistoleta me ç’rast e ka plagosur veten në gishtin e dorës së majtë e më pas edhe shokun e tij në dorën e djathtë”, tha zëdhënësi i Policisë Regjionale të Prizrenit, Hazir Berisha.

Për trajtimin e lëndimeve është përkujdesur Emergjenca e Spitalit Rajonal në Prizren.

Berisha, po ashtu njoftoi se policia ka kryer hetime në vendin e ngjarjes dhe e ka sekuestruar një pistoletë të llojit ”Waltro” të  kalibrit 9mm.

Lidhur me rastin është kryer edhe një bastisje e një shtëpie, por nuk është gjetur asgjë e kundërligjshme.

“Drejtoria Rajonale e Policisë Prizren edhe një herë bënë thirrje që të mos përdoren armët e zjarrit sepse ato vrasin” tha Berisha.