Foto: Ilustrim

Dy të Arrestuar për Falsifikim Dokumentesh

Nën dyshimin se kanë keqpërdorur detyrën zyrtare në Gjilan janë arrestuar dy zyrtarë të Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve.

Zëdhënësi i Policisë Rajonale të Gjilanit, Ismet Hashani, tha për KALLXO.com se së bashku me Prokurorinë e shtetit kanë ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore me qëllim të sigurimit të provave materiale lidhur me Informatën për korrupsion dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve (QRA) në Gjilan.

“Gjatë ndërmarrjes së veprimeve operative dhe masave të fshehta teknike përafërsisht njëmujore, është arritur të sigurohen prova të qëndrueshme materiale që vënë dyshimin e bazuar se dy zyrtarë të kësaj Qendre janë të inkriminuar në veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, konflikt interesit dhe falsifikimit të dokumenteve”, tha Hashani.

Ai shtoi më tutje se personat e dyshuar janë arrestuar për të gjitha veprimet që u vihen në barrë dhe janë intervistuar në prezencë të avokatit.

Me vendim të prokurorit të shtetit dy të dyshuarit ndalen në mbajtje për 48 orë.

Rasti në bazë të dëshmive materiale vazhdon të hetohet.