Dy rrugë në Prishtinë bllokohen sot për qarkullim për shkak të ndeshjes së futbollit

Policia e Kosovës ka njoftuar se disa rrugë në Prishtinë do të bllokohen sot për shkak të ndeshjes së futbollit e cila do të zhvillohet sonte në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë.

Në njoftim thuhet se policia për të evituar bllokadat në rrugë, kolonat e gjata të automjeteve, dhe për të mundësuar një qarkullim në suaza të normales, do të veproj në të gjitha rrugët të cilat lidhen me stadiumin “Fadil Vokrri”, duke formuar pikat e kontrollit me qëllim të ndalimit dhe udhëzimit të automjeteve, si dhe vendosjen e rregullit përgjatë atyre rrugëve.

“Në këtë kontekst, policia sot prej orës 11:00, do të ndërpres qarkullimin dhe ndaloj parkimin e të gjitha automjeteve në rrugët “Enver Zymberi” dhe “Rinia”, në Prishtinë”, njofton policia.

Sipas policisë, bllokimet dhe kufizimet në zonën përreth Studionit do të bëhen, bazuar në vendimin e lëshuar nga Komuna e Prishtinës, respektivisht Drejtoria për shërbime Publike.

Andaj, për të përballuar sa më lehtë rrethanat që do të paraqiten në qarkullimin rrugor, policia ka kërkuar ndihmën, besimin dhe mirëkuptimin e gjithë qytetarëve duke kërkuar që të shmangin lëvizjet e tyre drejt stadiumit të qytetit me vetura.