Foto: BE

Dy 'Kërkesat Urgjente' të Mogherinit për Thaçin e Vuçiqin

Federica Mogherini, Përfaqësuesja e Lartë për Punë të Jashtme dhe Politikën e Sigurisë njëkohësisht edhe nënkryetarja e Komisionit Europian, u takua sot me presidentët, Aleksandar Vuçiç të Serbisë dhe Hashim Thaçi të Kosovës në kuadër të dialogut në nivel të lartë politik për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Ata diskutuan në kuadër të fazës së re të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, përgatitjet për një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve.

Ata po ashtu kanë shqyrtuar përparimin e bërë në zbatimin e marrëveshjeve të kaluara, në dritën e takimeve të fundit të punës të mbajtura në Bruksel.

“Përfaqësuesja e Lartë theksoi rëndësinë që BE i jep zbatimit të plotë të të gjitha marrëveshjeve ekzistuese dhe theksoi në veçanti nevojën urgjente për të filluar me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Marrëveshjen e Energjisë dhe të vazhdojë me përfundimin e urës së Mitrovicës”, thuhet në njoftimin e BE-së.

Përfaqësuesja e Lartë e ka përshëndetur angazhimin e vazhdueshëm të të dy presidentëve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe kujton se përparimi i të dy vendeve në agjendat e tyre të integrimit në BE është i lidhur fort me progresin në Dialog.