Gjykimi i mjekut Musa Jashari - Foto: KALLXO.com

Dy dëshmitarë në gjykimin e mjekut të akuzuar për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor

Musa Jashari, ortoped në Spitalin Rajonal të Gjilanit, po gjykohet se si pasojë e veprimeve të tij është përkeqësuar gjendja shëndetësore e pacientit Sh.R., me ç’rast, sipas Prokurorisë, dyshohet se ka kryer veprën trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor.

Në seancën e sotme dhanë dëshminë e tyre Sinan Zeneli oficer policor në Gjilan dhe prof. Skënder Ukaj, ekspert mjekësor pranë QKUK-së në Prishtinë.

Polici Zeneli gjatë dëshmisë së tij tregoi për rrjedhën hetimore të inicuar me urdhër të kryeprokurorit të shtetit, veprimet e kryera së pari nga Njësiti patrullues në Gjilan e më pastaj edhe nga Njësiti për hetime policore në Gjilan, duke theksuar se i qëndron në tërësi raportit hetimor të hartuar nga vetë ai.

Ky dëshmitar ndër të tjera u pyet edhe për mosmarrjen në pyetje të dr. Florim Ramadanit, i cili kishte deklaruar se të dëmtuarit i mungon një pjesë e ashtit.

“Është e vërtetë se kemi tentuar që dr. Florim Ramadanin ta intervistojmë në cilësi të dëshmitarit por përkundër përpjekjeve nuk kemi arritur që ta intervistojmë sepse i njëjti punon në Austri”, tha polici Zeneli.

Po ashtu, ky dëshmitar u pyet edhe për arsyen se pse nuk kanë ngritur kallëzim penal edhe ndaj dr. Florim Ramadanit.

“Fillimisht ne jemi njoftuar në bazë të deklarimit të prindit të të dëmtuarit Mursel dhe në ndërkohë kemi siguruar raportet mjekësore, si në Spitalin e Gjilanit ashtu edhe në Spitalin Amerikan në Prishtinë dhe nuk kemi ngritur kallëzim penal ndaj këtij mjeku sepse kemi pritur që të vijë raporti nga Instituti i Mjekësisë Ligjore”, tha dëshmitari Zeneli.

Më tutje dha dëshminë e tij edhe eksperti mjekësor nga QKUK, dr. Skënder Ukaj.

Fillimisht dëshmitari tha se i qëndron pranë ekspertizës me shkrim të hartuar nga vetë ai më datë 8 nëntor 2016. Ai tregoi se në bazë të dokumentacionit mjekësor të cilin e kanë poseduar, pacienti  Sh.R., ishte operuar katër herë, duke sqaruar natyrën e lëndimit dhe mundësinë e paraqitjes së komplikacioneve pas terapimit të këtyre patologjive.

“Ky lloj operimi hyn në kategorinë e natyrës së lëndimeve të rënda trupore, dhe se ne kemi çdo ditë në QKUK kësi intervenime, mirëpo nuk duhet harruar faktin se bën pjesë në natyrën e lëndimeve të rënda trupore dhe mundësia e paraqitjes së komplikacioneve pas operimit gjithmonë ekziston”, tha eksperti Skënder Ukaj.

Në pyetjen e prokurores së shtetit se si rezultat i operacionit të parë a ka mundur që t’i keqësohet gjendja të dëmtuarit Sh.R., eksperti Ukaj deklaroi: “Sa i përket kësaj pyetjeje unë nuk mund që të deklarohem se për çfarë arsye ka ardhur në këtë gjendje i dëmtuari Sh.R.”.

Ai më tutje shtoi se gjatë operimit ndodh që disa fragmente të janë të shkoqitura komplet por jo të mëdha nëse shihet se nëse ka mundësi që të bën pengesa ose të mos ngjiten ato largohen.

Ky ekspert më tej sqaroi edhe metodat e operimit të kockave në bërrylin e krahut të pacientit, duke u përgjigjur pyetjeve të avokatit Vehbi Ismajli.

“Në ortopedi ekzistojnë metoda të shumta të pranuara për trajtimin e lëndimeve të kockave të shumta, në rastin konkret fraktura është fiksuar me dy tela të Kishnerit. Unë në përvojën time për fiksimin e dy kondileve vendos edhe një vidë-shtraf transkondillare në mes të dy kondilave në mënyrë që të jenë më stabil”, tha eksperti Ukaj.

Në pyetjen e të pandehurit Musa Jashari lidhur me përdorimin e kësaj metode, eksperti Ukaj deklaroi se telat e Kishnerit shërbejnë për fiksimin e kockave dhe fragmenteve më tepër tek moshat e reja për të mos shkaktuar invazilitet, gjegjësisht dëmtime, “kështu që janë të lejuara telat e Kishnerit dhe të njëjtit përdoren në gjithë botën për operacione të tilla”.

“Në shumicën e rasteve kur kam operuar unë kësi lloj operacione, kam vendosur vida (shtrafa), mirëpo varet edhe nga mosha e pacientit, p.sh. te moshat e reja për të mos shkaktuar dëmtime prapë vendoset një tel i Kishnerit në vend të vidës, por për këtë operatori është ai që e vlerëson në fund”, tha Ukaj.

Në pyetjen e gjyqtarit Sabedin Mushica se me përdorimin e vidës gjatë operacionit a do të ishte gjendja e tillë shëndetësore e të dëmtuarit Sh.R.

Eksperti Ukaj deklaroi: “Nuk mund ta dij se në rast të përdorimit dhe mospërdorimit të vidës gjatë operimit te i dëmtuari Sh. R., a do t’i keqësohej gjendja apo jo”.

Prof.. Ukaj më tej shtoi se “mjetet me të cilat i ka përdorur mjeku gjatë operimit të dëmtuarit Sh.R., nuk janë në kundërshtim me rregullat mjekësore. Dhe se në rastin konkret a është dashur të përdoren vidat apo jo, këtë përgjigje e jep vetëm ai mjek qe ka qenë duke operuar”.

Në pyetjen e gjyqtarit Sabedin Mushica se komplikacionet  e paraqitura tek i dëmtuari a janë si rezultat i operacionit të parë apo tri operacioneve të tjera të kryera në Spitalin Amerikan, eksperti Ukaj deklaroi se operacionet janë kryer për shërimin e lëndimit dhe për krijimin e mundësive për zvogëlimin e komplikacioneve.

Më tej në pyetjen ndërhyrëse të të pandehurit Musa Jashari se fraktura e bërrylit sa ndikon në shëndetin e përgjithshëm të pacientit, eksperti Ukaj theksoi se fraktura e bërrylit në shëndetin e përgjithshëm në parametrin vital nuk ndikon në parametrat e tensionit arteriar, saturim, ritëm të zemrës, kurse si ndikim negativ është pengesa në lëvizje të bërrylit, varësisht nga shkalla.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, të siguruar nga KALLXO.com, mjeku Musa Jashari nga Gjilani, dyshohet se ka kryer veprën penale trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor sepse me rastin e operimit të të dëmtuarit Sh.R. për shkak të një frakture të keqkonsoliduar gjendja e tij shëndetësore ishte përkeqësuar, ashtu që si pasojë e trajtimit joadekuat i dëmtuari në fjalë ka qenë i detyruar të kërkojë ndihmë në QKUK dhe t’i nënshtrohet edhe disa operacioneve të tjera në Spitalin Amerikan.

Seancat e radhës do të mbahen më 16 dhe 17 janar.