Dukagjinaset Bëhen Gati për Politikë e Biznes

Organizata “Syri i Vizionit” ka bërë bashkë gratë dukagjinase rreth një projekti, i cili ka për qëllim të fuqizojë rolin e tyre në politikë, biznes dhe shoqëri civile.
Në tryezën e organizuar në Pejë përvojën e tyre e kanë shpalosur tri gra të suksesshme në këto tri fusha.

Mimoza Kusari-Lila ka folur për përvojën dhe sfidat në politikë gjatë karrierës së saj.

Ajo tha se posti i kryetares së Gjakovës i merr më së shumti kohë dhe angazhim.
Po ashtu, Mimoza Kusari-Lila e vlerësoi pozitive zgjedhjen në këtë post, pasi që, siç tha ajo, është thyer tabuja në vendin tonë se një grua nuk mund të udhëheqë dhe të jetë e zgjedhur.

“Element pozitiv i mbajtjes së kësaj pozite dhe të qenit femër është se është thyer përfundimisht një tabu e asaj që është besuar që femrat nuk janë të afta ose nuk kanë mundësi ta mbajnë pozitën e kryetares edhe të jenë të zgjedhura”, tha Kusari Lila.
Kryetarja e Gjakovës tha së është e gatshme të bashkëpunojë ende për fuqizimin e rolit të gruas në politikë dhe jashtë saj.

Ndërsa, për suksesin e gruas në biznes foli Linda Shala, pronare një biznesi të suksesshëm në Kosovë.

Ajo tha së duhet punë dhe përkushtim për të pasur rol dhe sukses në udhëheqjen e biznesit si grua.
“Të qenit grua në biznes nuk nënkupton që je zhveshur prej anës femërore dhe njerëzore. Unë jam edhe një nënë edhe një bashkëshorte, edhe një çikë e mirë për nënën edhe për babën kur i kam pasë. Edhe një familjare normale edhe një shoqe e mirë për shoqërinë time”, theksoi ajo.
Nga shoqëria civile foli Ariana Qosaj-Mustafa, e cila përveç përvojës së saj inkurajoi gratë dukagjinase të angazhohen në projekte të cilat kanë për qëllim fuqizimin e rolit të femrës.
Udhëheqësja e projektit për përkrahjen e grave, Vlora Gaxherri nga OJQ-ja “Syri i Vizionit”, tha së projekti që ajo po drejton do të implementohet në katër faza.

“Projekti implementohet në katër faza. Veçse kanë filluar pjesa e parë dhe e dytë e implementimit. Janë identifikuar gratë e suksesshme në biznes, shoqëri civile, në vendimmarrje. Sot ky forum është i rëndësisë shumë të veçantë sepse sjell femrat model që janë duke implementuar karrierën e tyre në nivel qendror dhe kanë ardhur t’i sjellin eksperiencat dhe bagazhin e tyre edhe për femrat në nivel rajonal”, tha Gaxherri.
Në këtë forum morën pjesë gra nga asambleja e Pejës, Gjakovës, Istogut, Klinës, Deçanit dhe Junikut, të cilat patën rastin t’u bëjnë pyetje të ndryshme tri panelisteve.