Dugolli Kundër 'Ndërhyrjeve nga Jashtë' në UP

Bujar Dugolli është rizgjedhur Dekan i Fakultetit Filozofik  në zgjedhjet e parakohshme të Universitetit të Prishtinës.

Dugolli është shprehur optimist për punën që do të bëhet në Fakultet pas zgjedhjes së tij si dhe është zotuar në parandalimin e ndërhyrjeve të jashtme në punët e Fakultetit.

“Ju e patë që ishte një klimë shumë normale dhe kolegiale. Mes vete ne kemi punuar edhe kështu në Fakultet edhe gjatë mandatit që e përfundova dhe prapë do të vazhdojmë që të punojmë me të njëjtat dinamika duke respektuar marrëdhëniet njerëzore mes vete me stafin normalisht duke insistuar që Universiteti të ketë më të mira dhe të mos lejohen ndërhyrjet nga jashtë universitetit dhe t`i lihet mundësia që vetë stafi akademik të vendos për udhëheqësit e vet në çfarëdo niveli”, tha Dugolli.

Dekani i ri ka bërë thirrje për largimin e ndikimeve të Qeverisë, shoqërisë civile dhe mediave në Universitet.

“Shpresoj që procesi zgjedhor të prodhojë menaxhment të duhur që është në interes të Universitetit që nuk e bllokon Universitetin por e hap Universitetin edhe për stafin e vet edhe për studentët por edhe për botën ndërkombëtare dhe donatorët që duan të ndihmojnë Universitetin dhe shpresoj që të mos ketë ndërhyrje nga jashtë në zgjedhjen e menaxhmentit qendror, po them ndërhyrje nga jashtë si nga Qeveria por edhe nga shoqëria civile apo mediat e caktuara”, tha Dugolli

Në anën tjetër kundërkandidatja e Dugollit, Profesoresha Hasnije Ilazi ka vlerësuar se Universiteti i Prishtinës është i politizuar dhe stafi akademik nuk dëshiron ta ndërrojë këtë gjendje.

“Ky Universitet ka qenë me vite nën ndikim e politikës, fakt është, edhe në këtë moment si duket nuk janë ende të gatshëm, as stafi as masa kritike intelektuale për ndryshime, në kuptimin e asaj që njerëzit vështirë largohen nga komoditeti në të cilin janë”, tha Ilazi.

Bujar Dugolli e fitoi garën për dekan me 23 vota krahas kundërkandidates së tij, Hasnije Ilazi e cila mori 10 vota.