Dugolli e Pupovci, Replika të Ashpra për UP-në në ‘Jeta në Kosovë’
Debat i ashpër është bërë të enjten në emisionin “Jeta në Kosovë” mbi zgjedhjet në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Tre dekanët që janë zgjedhur së fundi kanë folur se a ka pasur ndërhyrje në procesin e zgjedhjeve në UP ndërsa ky proces është diskutuar edhe nga përfaqësues të shoqërisë civile.
Debati i moderuar nga Muhamet Hajrullahu është ashpërsuar më së shumti mes dekanit të Fakultetit Filozofik, Bujar Dugolli, dhe drejtorit të Qendrës për Arsim të Kosovës (KEC), Dukagjin Pupovci.
“T’ju them të drejtën, unë përpara kam thënë që politika ndërhynë shumë në zgjedhje në Universitet. Tash po e shoh se aty më së shumti vallen e udhëheqin organizimet klanore që janë brenda Universitetit”, tha Pupovci.
E këto fjalë kanë “nxehur” dekanin e rizgjedhur të Fakultetit të Filologjisë, Bujar Dugolli.
“Ky (Pupovci) është një biznesmen që e kalkulon shumë mirë se qysh i del fitimi. Ky është biznesmen dhe vrapon pas tenderëve. Tërë pasluftën ka marrë ndoshta me miliona financime nga MAShT-i dhe donatorët për të zhvilluar sektorin e arsimit”, tha Dugolli.
E replika mes tyre shkoi deri në atë masë sa që Dugolli u shpreh “Rri, ulu dhe puno në biznesin tënd dhe mos u përziej në universitet”.
Rreth klaneve në Universitetin e Prishtinës nuk ka folur as dekania e Fakultetit të Filologjisë, Lindita Rugova e as dekani i ri i Fakultetit Ekonomik, But Dedaj.
Tre dekanët e rinj mohuan se do të jenë kandidat për Rektor të Universitetit të Prishtinës, “Hasan Prishtina”.
“Zgjedhjet janë të hapura, nuk mendoj që është mirë që unë të konkurroj sepse unë kam marr një besim të stafin dhe jam akoma i ri”, tha dekani Bujar Dugolli.
Gjatë këtij debati u fol edhe për cilësinë e arsimit në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” e cila ishte po ashtu pikë e nxehtë që ngjalli replika.
“Nuk duhet të kemi politika kadrovike por strukturale. Gjendja në Universitet është shumë e keqe, nuk e them me bindje të keqe por faktet tregojnë ndryshe”, tha Leon Malazogu ish- anëtar i Këshillit Drejtues të UP-së.
Por sipas dekanit të Filozofikut, Bujar Dugolli, cilësia e arsimit në Universitet është më e mira në hapësirat ku jetojnë shqiptarët.
Ndërsa dekania e Fakultetit të Filologjisë, Lindita Rugova, tha se gjatë udhëheqjes katër vjeçare të këtij fakulteti do të përkujdeset për që të nxjerrë studentë të aftë për tregun e punës.
“Vizioni im përbëhet nga dy komponentë, nga studentët që do t’i përgatisim nga aspekti teknik që t’i përgatisim për tregun e punës që ata t’i zhvillojnë shkathtësitë që do të gjejnë punësim dhe një grup të studentëve shkencor”, tha Rugova.
Ndërsa dekani i Fakultetit Ekonomik, But Dedaj kur foli për numrin e madh të studentëve në këtë fakultet tha se studentët duhet të përgatiten për tregun e Evropës.
“Tregu i punës së Kosovës është shumë i vogël andaj ne duhet t’i përgatisim studentët për tregun e punës ndërkombëtar”, tha Dedaj
Në debat po ashtu është folur edhe për cilësinë e revistave që stafi akademik i UP-së po boton punime shkencore. Dedaj tha se fatkeqësia më e madhe është që Universiteti i Prishtinës nuk ka një revistë të veten shkencore ndërsa Dugolli tha se UP-ja duhet të bëjë një listë të revistave kredibile ku stafi akademik mund t’i botojë punimet shkencore.
Tre dekanët shpalosën programin e tyre katërvjeçar për fakultetet kuata i kanë marrë votat.
“Jeta në Kosovë” transmetohet në RTK në orën 20:20 dhe repriza të premten në mesditë.