Driton Tali, kandidat i VV-së për deputet. Foto: Facebook.

Driton Tali 'Nuk Pajtohet' me Albin Kurtin për Koalicionet dhe Partitë

Kandidati për deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Tali që kishte qenë pjesë e Kuvendit në legjislaturën kur Kosova shpalli pavarësinë ka shkruar sot në Facebook se deputetët që do të hyjnë në Kuvend nga radhët e koalicioneve parazgjedhore nuk duhet të ndahen.

“Sipas mendimit tim koalicionet zgjedhore nuk duhet te kenë të drejtë për t’u ndarë sepse kanë garuar (fituar vota) si një subjekt. Pra, nuk duhet lejuar qoftë AKR-në qoftë Alternativa-n të ndahen nga LAA apo AAK ose NISMA-n prej PAN”, ka shkruar Tali në profilin e tij në Facebook.

Mirëpo kjo deklaratë e kandidatit të Vetëvendosjes për deputet është në kundërshtim me deklaratat e kandidatit për kryeministër të kësaj partie.

Dy ditë pas zgjedhjeve, më 13 qershor, kandidati i Vetëvendosjes për Kryeministër, Albin Kurti në një konferencë për media ka ftuar deputetët e koalicionit PAN, që t’i bashkëngjiten qeverisë që sipas tij, do të drejtohet nga Vetëvendosje.

Postimi i Driton Talit në Facebook. Printscreen.

“Ne sot ftojmë të gjitha subjektet politike të koalicionit LDK-AKR-Alternativa si dhe të gjithë ata deputetë të koalicionit PDK-AAK-Nisma që janë kundër vazhdimit të regjimit të vjetër, pra kundër pushtetit të “Klanit Pronto”, që të na bashkohen në tryezë për të diskutuar mbi situatën e re politike të vendit pas këtyre zgjedhjeve si dhe për programin politik të një qeverie të re të drejtuar nga Lëvizja Vetëvendosje”, ka thënë Kurti më 13 qershor në konferencën e organizuar nga VV.

http://kallxo.com/kurti-thote-se-thaci-nuk-mund-ta-pengoje-qeverine-e-lvv-se/

 

Pika 1 e nenit 3 të ligj për të drejtat dhe përgjegjësitë e deputetit e thotë qartë që deputeti i nënshtrohet vetëm ndërgjegjes së tij.

“Deputeti është përfaqësues i qytetarëve dhe gjatë mandatit të tij i nënshtrohet vetëm ndërgjegjes së tij”, thuhet në nenin 3 të këtij ligji.

Rezultatet preliminare të KQZ-së e nxjerrin koalicion PAN të parin me 33.92%, Lëvizjen Vetëvendosje të dytën me 27.16% dhe koalicion LAA të tretin me 25.79%.