Foto: Twitter

‘Drita’ kalon pengesat, kalon në fazën e parë për Ligën e Kampionëve

Kampioni i Kosovës në futboll, Drita nga Gjilani, ka fituar edhe ndeshjen e dytë parakualifikuese për Ligën e Kampionëve duke e mundur kampionin e Gjibraltarit, Lincoln, me rezultat 4:1, në fushën e tyre, në një ndeshje mjaft interesante dhe me kthesa në rezultat.

Ndeshja nisi mirë për gjilanasit kur mbrojtësi Liridon Leci shënoi pas një gjuajtjeje nga këndi qysh në minutën e parë.

Më pas futbollistët e Dritës patën raste edhe për gola tjerë, por në momentet e fundit, lojtarëve u mungonte përqendrimi.

Në pjesën e dytë, vendasit barazuan pas një goditjeje nga këndi dhe kjo bëri që ndeshja të shkojë në vazhdime.

Në minutën 100, për Dritën gjërat u bënë keq kur mbrojtësi Fidan Gërbeshi mori kartonin e dytë të verdhë dhe u largua nga loja duke e lënë ekipin me një lojtar më pak.

Por pak minuta më vonë, një aksion i mirë i gjilanasve e nxori Përparim Livorekën në pozitë të mirë shënimi. Topin që po shkonte në rrjetë e pengoi me dorë një mbrojtës i Lincoln. Gjyqtari i ndeshjes akordoi penallti për Dritën dhe i dha karton të kuq lojtarit të Lincoln. Nga pika e bardhë, Liridon Leci ishte i pagabueshëm.

Në fund të ndeshjes, Drita ngriti epërsinë në 3 me 1 nga një kundërsulm i mirë me Xhevdet Shabanin ndërsa Haxhi Neziraj krejt në fund shënoi për rezultatin përfundimtar

Pas kësaj fitoreje, Dritën e pret një ndeshje e vështirë në kuadër të xhiros së parë kualifikuese për Ligën e Kampionëve kundër skuadrës suedeze, Malmo, pas dy javësh.