Drenasi Heq Pagesën prej 5 Eurove për Ankesa

Qytetarët e Drenasit nuk do të paguajnë më 5 euro nëse duan të ankohen në komunë për ndonjë problem që i shqetëson.

Këtë pagesë për ankesa e kishte bërë çdokush që ankohej prej hyrjes në fuqi të Rregullores Komunale për Taksa, e cila ishte miratuar në mbledhjen e Kuvendit Komunal të datës 29 gusht 2007.

Brenda kësaj rregulloreje të propozuar nga Drejtoria e atëhershme e Financave parashikohej që ankesat në komunë të ishin me para.

Por zëdhënësi i Komunës së Drenasit Bekim Dobra thotë se rregullorja është ndryshuar dhe tash ankesat janë pa pagesë.

“Gjatë vitit 2017 u nxor vendimi i ndryshimit të rregullores dhe rregullorja u ndryshua. Ankesat janë pa pagesë, Prej vitit 2017 ankesat e secilës palë janë pa pagesë- zero shpenzime”, tregoi Dobra për KALLXO.com.

Heqjen e pagesave për ankesa në Komunën e Drenasit e kishte rekomanduar Zahrie Podrimqaku, zyrtarja për të drejtat e njeriut dhe barazi gjinore në këtë komunë.

“Kontaktet  e drejtpërdrejta me qytetarë më kanë shtyrë të merrem me problemin që po e dëmtonte qytetarin. Obligimi i qytetarëve ndaj pagesës së një  ankesë me vlerë 5 euro është një e padrejtë e madhe. E sidomos familjet me raste sociale që nuk e kanë as mundësinë  e pagesës për t’u ankuar”, thotë Podrimqaku për KALLXO.com.

Ajo bën të ditur se rekomandimet e saj për heqje të pagësës së ankesave dhe tatimeve të dyfishta për pronë, të nxjerra në gusht dhe tetor të vitit 2016 dhe të dërguara në Drejtorinë e Financave nuk kaluan pa probleme.

“Për Drejtorinë e Financave është adresë e gabuar”, u ishte përgjigjur kjo drejtori rekomandimeve të Podrimqakut.

Pastaj, sipas zyrtares për barazi gjinore, rekomandimi i saj për heqjen e pagesave për ankesa ishte ndryshuar gjatë diskutimeve në Kuvendin Komunal në zvogëlim të kësaj pagese.

“Kjo po ashtu është shkelje ndaj kërkesës dhe ndaj të padrejtave të qytetarëve. Rekomandimi ka qenë për largim komplet të pagesës jo për zvogëlim. Pas shumë diskutimeve rekomandimi im është marrë dhe është duke u proceduar deri te vendimi përfundimtar”, thotë Podrimqaku.

Drejtori i Departamentit të Financave në Komunën e Drenasit Hamdi Krasniqi, megjithëse konfirmon që pagesat për ankesa janë hequr, thotë se çështja e pagesave për ankesa nuk është përgjegjësi e këtij departamenti.

“Përgjigjet duhet mi marrë prej administratës, jo Drejtorisë së Financave. Nuk e menaxhojmë as nuk e aprovojmë. E di që nga kuvendi i mëhershëm janë largu[pagesat], qytetari për ankesa në Komunën e Drenasit nuk paguan”, shpjegon Hamdi Krasniqi për KALLXO.com.

Zëdhënësi i Komunës së Drenasit Bekim Dobra thotë se numri i ankesave të qytetarëve është shtuar prejse ato janë pa pagesë.

Ai tregon se ku shkonin paratë nga taksat për ankesa.

“Një ankesë ka qenë 5 euro. Këto para kanë shkuar në të hyrat vetanake”, thotë zëdhënësi Dobra.

Bekim Demaku, një qytetar i Drenasit, i gëzohet largimit të pagësës për ankesa, teksa tregon se ka paguar më herët kur është ankuar.

“Kjo çka u ba është në të mirë për qytetarët se personalisht mu më ka ndodhë me pagu dy herë nga 5 euro për një ankesë, mirë tash largimi i pagesave është lehtësim për banorët e Komunës së Drenasit”, thotë Demaku.

Fahrije Berisha, një qytetare tjetër e kësaj komune, thotë se me këto pagesa banorëve të këtushëm u është bërë padrejtësi.

“Unë mendoj që Komuna e Drenasit deri tash ka bërë shumë të padrejta ndaj qytetareve në shfrytëzimin e taksave si për ankesa po ashtu dhe tatime pronësore të dyfishta”, thotë Berisha.

Ndërsa ka edhe qytetarë që nuk e dinin se ankesat duhej paguar, pasi nuk u kishte rënë të ankoheshin në komunë.

“Nuk më ka ra me bë ankesë në komunë dhe nuk paskam qenë në dijeni për pagesë në ankesë, mirëpo mirë që qenka largu kjo lloj pagese sepse është në të mirë të banorëve të Komunës së Drenasit:”, thotë Bledar Hajdari nga kjo komunë.

Drenasi aktualisht drejtohet nga Ramiz Lladrovci që fitoi në balotazhin për kryetar të kësaj komune të zhvilluar më 18 dhjetor të vitit të kaluar.